Bill Gates paralajmëron: 20 vite trazira nga inteligjenca artificiale, miliona vende pune në rrezik!
Bill Gates paralajmëroi se inteligjenca artificiale mund të shkaktojë dy dekada trazirash ekonomike dhe shoqërore, duke çrregulluar punësimin dhe duke ndryshuar jetën, edhe nëse kjo teknologji menaxhohet me sukses, transmeton Anadolu.
Në një intervistë për podkastin Decoder, të publikuar të enjten, bashkëthemeluesi i Microsoft-it tha se kalimi drejt një ekonomie të mbështetur te inteligjenca artificiale do të krijojë fitues dhe humbës, duke riformësuar potencialisht tregun e punës dhe duke ngritur pikëpyetje mbi rolin e njerëzve në shoqëri.
“Shqetësimi im më i madh është kjo periudhë tranzicioni 20-vjeçare, gjatë së cilës do të ketë fitues dhe humbës, si dhe shumë tronditje”, tha 70-vjeçari Gates, duke shtuar se shoqëria do të duhet të përballet me këto ndryshime përpara se të hyjë potencialisht në një epokë bollëku.
Ai e përshkroi këtë periudhë si një vlerësim dhe jo si parashikim të prerë, duke pranuar se tranzicioni mund të jetë më i shkurtër ose më i gjatë, në varësi të përparimeve teknologjike dhe vendimeve për të ngadalësuar zhvillimin.
Gates tha se përparimet në inteligjencën artificiale dhe robotikën humanoide mund t’u mundësojnë përfundimisht makinerive të kryejnë një pjesë të madhe të punës fizike që bëhet nga njerëzit, përfshirë ndërtimin e shtëpive, kultivimin e ushqimit dhe madje edhe kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale.
Ndërsa këto përparime mund të pakësojnë mungesat e mallrave dhe shërbimeve, ai sugjeroi se shoqëritë mund të vendosin që disa veprimtari t’ua rezervojnë qëllimisht njerëzve, përfshirë kujdesin ndaj fëmijëve, përgatitjen e ushqimit, artin dhe sportin.
Filantropi miliarder theksoi gjithashtu përfitimet e mundshme të inteligjencës artificiale në shëndetësi dhe bujqësi, por paralajmëroi se qeveritë dhe shoqëria nuk janë të përgatitura sa duhet për zhvillimin e saj të shpejtë.
Ai bëri thirrje për mbikëqyrje më të fortë nga qeveritë dhe masa mbrojtëse teknike kundër sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve biologjike, duke argumentuar se kompanitë e inteligjencës artificiale nuk mund të jenë të vetmet përgjegjëse për menaxhimin e rreziqeve.
Gates paralajmëroi gjithashtu se, edhe në rrethanat më të favorshme, zhvillimi i inteligjencës artificiale mund të sjellë një nga periudhat më të trazuara në historinë njerëzore.
“E urrej të jem bartës i lajmeve shqetësuese për këtë çështje, por është edhe më keq të mos u tregosh njerëzve se çfarë po vjen. Ne, si njerëz, kemi mundësi të zgjedhim se si do ta formësojmë atë”, tha ai.

