Qeveria britanike raporton ndërprerje në 32 shërbime për shkak të një problemi të sigurisë kibernetike
Sipas një ministre në Dhomën e Lordëve të Mbretërisë së Bashkuar, 32 shërbime të qeverisë britanike janë jashtë funksionit dhe katër të tjera janë pjesërisht të padisponueshme për shkak të një problemi të vazhdueshëm të sigurisë kibernetike që lidhet me gjuhën e programimit PHP, transmeton Anadolu.
Baronesha Lloyd of Effra, nënsekretare parlamentare e shtetit në Departamentin për Digjitalizim, Kulturë, Media dhe Sport, tha se ndërprerjet “në masë të madhe kanë ardhur si pasojë” e masave parandaluese të marra për mbrojtjen e sistemeve, ndërkohë që po aplikohen përditësime dhe masa për zbutjen e rreziqeve të sigurisë.
Ajo tha se qeveria po bashkëpunonte ngushtë me agjencitë për “rikthimin e shërbimeve në mënyrë të sigurt dhe të mbrojtur”.
“Qeveria veproi në mënyrë proaktive përpara se problemi të bëhej publik”, tha Lloyd, duke shtuar se agjencitë ishin njoftuar për cenueshmërinë dhe ishin këshilluar të identifikonin sistemet që mund të ishin prekur, të vlerësonin ekspozimin e tyre ndaj rrezikut dhe të përgatiteshin për zbatimin e përditësimeve të sigurisë dhe masave për zbutjen e rreziqeve.
Lloyd tha se Qendra Kombëtare për Sigurinë Kibernetike kishte dërguar “50.000 njoftime proaktive për sektorin e gjerë ekonomik, me qëllim këshillimin e bizneseve dhe organizatave të tjera lidhur me masat që duhet të ndërmarrin”.
“Qeveria vazhdon ta monitorojë nga afër situatën dhe të bashkëpunojë me departamentet për të ruajtur sigurinë, qëndrueshmërinë dhe disponueshmërinë e shërbimeve publike”, shtoi ajo.
Zyra e kryeministrit britanik deklaroi se “asnjë shërbim kritik i madh, i aksesueshëm nga publiku, nuk po preket”, ndërsa pranoi se disa “shërbime të kufizuara mund të jenë përkohësisht jashtë funksionit” gjatë punës për forcimin e sigurisë.
“Kjo nuk do të thotë se ato janë hakuar”, shtoi ajo.
Cenueshmëria e identifikuar në PHP, një gjuhë programimi që përdoret gjerësisht për zhvillimin e faqeve të internetit, ka nxitur organizata në mbarë botën të ndërmarrin masa për të siguruar sistemet që mund të jenë prekur.
Platforma e infrastrukturës së internetit Cloudflare tha në rrjetin social amerikan X se ka vërejtur “miliona” përpjekje për sulme kibernetike në rrjetin e saj. Megjithatë, nuk kishte prova se këto përpjekje kishin qenë të suksesshme.

