Parisi vendos orë policore për natën e tretë radhazi në pjesë të kryeqytetit

Parisi vendos orë policore për natën e tretë radhazi në pjesë të kryeqytetit

Policia e Parisit ka njoftuar vendosjen e orëve policore për natën e tretë radhazi në disa pjesë të kryeqytetit francez, pas dhunës dhe plaçkitjeve gjatë protestave mbarëkombëtare, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Kufizimet do t’i ndalojnë të rriturit dhe të miturit të hyjnë në zonat e përcaktuara përreth sheshit “Place de la Republique” dhe zonës Les Halles, nga ora 23:00 e së mërkurës deri në orën 06:00 të së enjtes, njoftoi prefektura e policisë së Parisit në platformën sociale amerikane X.

Në një njoftim tjetër, prefektura tha se tubimet dhe protestat do të ndalohen në disa zona të Parisit nga ora 20:00 e së mërkurës deri në orën 06:00 të së enjtes.

Sipas prefekturës, masat pasojnë udhëzimet e kryeministrit Sebastien Lecornu dhe ministrit të Brendshëm Laurent Nunez për të mbrojtur njerëzit dhe pronën nga dhuna dhe plaçkitjet e mëtejshme.

Franca ka vendosur kufizime lokale qarkullimi në disa qytete pas trazirave gjatë protestave të 17 tetorit kundër rritjes së kostos së jetesës dhe përkeqësimit të kushteve në arsim.

Kufizimet u vendosën ndërsa autoritetet po përgatiten për protestat e radhës të “Jelekverdhëve”, të planifikuara për të shtunën.

Lecornu ka premtuar dislokimin e një numri “masiv” policësh, ndërsa Nunez ka thënë se masat e sigurisë do të rishikohen për të përmirësuar lëvizshmërinë dhe reagimin e policisë.

Organizatorët e “Jelekverdhëve” kanë paraqitur një plan për një marshim të shtunën nga sheshi “Place de la Bastille” deri në sheshin “Place de l’Opera” në Paris, megjithëse policia ende nuk e ka konfirmuar itinerarin, raportoi transmetuesi BFMTV.

MARKETING