Katari: Vazhdojnë negociatat Iran-SHBA ndërsa tensionet rajonale përshkallëzohen

Katari: Vazhdojnë negociatat Iran-SHBA ndërsa tensionet rajonale përshkallëzohen

Negociatat mes Iranit dhe SHBA-së vazhdojnë ndërsa të dyja palët po vijojnë angazhimin e tyre në një kohë kur tensionet rajonale po thellohen, tha sot zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

“Negociatat vazhdojnë. Po shohim angazhim nga palët”, tha Ansari, i cili shërben gjithashtu si këshilltar i kryeministrit të Katarit, gjatë Forumit Global të Sigurisë në Doha. Ai tha se po zhvilloheshin diskutime me partnerët rajonalë dhe shprehu shpresën se procesi do të çonte përfundimisht në një marrëveshje ndërsa paralajmëroi se situata në terren po bëhej gjithnjë e më e vështirë.

“Nëse përshkallëzimi nuk frenohet, do të përfundojmë duke u zhytur në një luftë rajonale që do të shtrihet përtej kufijve të rajonit tonë”, paralajmëroi ai. Ansari tha se procesi aktual pasoi një përpjekje të mëparshme për ta përdorur armëpushimin si rrugë drejt negociatave, por se kjo përpjekje dështoi përfundimisht dhe luftimet rifilluan.

“Çdo armëpushim është në thelb një derë që të çon drejt një destinacioni, e jo vetë destinacioni”, tha ai duke shtuar se armëpushimi i mëparshëm “u prish sërish”. Sa i përket Jemenit, Ansari tha se konflikti mund të lidhet me tensionet që përfshijnë Iranin, por se ka edhe dinamikat e veta. Ai i përshkroi zhvillimet e fundit si pjesë të një “shkalle përshkallëzimi” që nisi në vitin 2023.

“E vetmja mënyrë për t’u siguruar që kjo të mos vazhdojë është të fillojmë t’i ulim tensionet në të gjitha këto konflikte njëkohësisht”, tha ai. Zëdhënësi shprehu shqetësim për deklaratat politike që vijnë nga Izraeli, duke thënë se paqëndrueshmëria rajonale nuk duhet të shfrytëzohet për qëllime të politikës së brendshme.

“Jemi të shqetësuar për shumë nga deklaratat që po bëhen, deklarata politike që po vijnë, veçanërisht nga Izraeli”, tha Ansari duke shtuar se shfrytëzimi i paqëndrueshmërisë rajonale për përplasje të brendshme politike “nuk është diçka që duhet ta bëjë asnjë burrështetas i përgjegjshëm”.

MARKETING