Zjarr i madh në bazën ushtarake kanadeze, katër të vdekur dhe dhjetëra të plagosur
Katër pjesëtarë të ushtrisë kanadeze kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur si pasojë e një zjarri të madh që shpërtheu në Bazën e Forcave Kanadeze Wainwright, në provincën e Albertës.
Kryeministri kanadez, Mark Carney, e cilësoi ngjarjen si një nga tragjeditë më të rënda që kanë goditur forcat e armatosura në territorin e vendit gjatë kohës së paqes. Duke iu drejtuar qytetarëve të dielën nga Ottawa, ai shprehu ngushëllimet për viktimat dhe familjet e tyre.
Zjarri shpërtheu rreth orës 16:00 me orën lokale të shtunën dhe tashmë është vënë nën kontroll. Shkaku i tij mbetet i paqartë, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se, sipas vlerësimeve paraprake, ngjarja nuk duket të ketë lidhje me aktivitet terrorist.
Viktimat janë identifikuar si rreshteri Morgan Wong, oficeri Shaun Farrell, oficeri Aidan Goulding dhe oficeri Hayden Lykkemark.
Ndërkohë, 39 persona po marrin trajtim në spital, nga të cilët të paktën 19 ndodhen në gjendje kritike. Të dhënat u konfirmuan nga kryeministrja e Albertës, Danielle Smith, gjatë një konference për shtyp të dielën në mbrëmje.
Ekipet e zjarrfikësve dhe të shpëtimit vijojnë të qëndrojnë në vendngjarje për të monitoruar situatën dhe për të parandaluar shpërthime të mundshme. Këtë e bëri të ditur për BBC-në kryebashkiaku i Wainwright, Bruce Pugh.
Sipas gjeneralmajorit Wade Rutland, në zonë po zhvilloheshin stërvitje ushtarake me intensitet të lartë, ku përfshiheshin përdorimi i municioneve të gjalla, granatave dhe armëve të vogla. Aktivitetet përfshinin gjithashtu ushtrime sulmi në një poligon të posaçëm, ku ushtarët simulonin përballjen me një armik.
Autoritetet bëjnë me dije se një zjarr në bar shpërtheu rreth një kilometër larg zonës së stërvitjes dhe më pas u përhap në drejtim të poligonit të sulmit. Shkaku fillestar i zjarrit është ende nën hetim.
Gjeneralmajori Rutland theksoi se në atë kohë po zhvilloheshin disa aktivitete stërvitore në të gjithë zonën. Sipas tij, erërat e forta dhe të pazakonta favorizuan përhapjen e shpejtë të flakëve, duke ndryshuar drejtimin e tyre drejt zonës administrative të poligonit të luftimeve.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e sakta të tragjedisë, ndërsa Kanadaja mban zi për katër pjesëtarët e forcave të armatosura që humbën jetën.

