Zelenskyy i kërkon BE-së të mos lehtësojë sanksionet ndaj Rusisë gjatë takimit të liderëve
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i ka kërkuar Bashkimit Evropian (BE) të mos lehtësojë sanksionet ndaj Rusisë, duke theksuar nevojën për një paketë të “fuqishme” të 22-të të sanksioneve nga blloku me 27 vende anëtare, transmeton Anadolu.
Duke folur në ditën e dytë të samitit të liderëve të BE-së në Bruksel, Zelenskyy akuzoi homologun e tij rus, Vladimir Putin, se po përpiqet ta “zvarrisë” luftën në Ukrainë deri në vitin e ardhshëm, duke shtuar se Evropa duhet të jetë e përgatitur për këtë mundësi.
“Ju bëj thirrje të mos i lehtësoni sanksionet ndaj Rusisë apo ndaj kujtdo që ka lidhje me të. Putini përdor çdo marifet që mund të gjejë për të siguruar para për prodhimin e më shumë armëve”, tha Zelenskyy, duke theksuar se Ukraina ka paralajmëruar se lehtësimi i sanksioneve do t’u krijojë mundësi të tjerëve të përfitojnë.
Presidenti ukrainas argumentoi se marrëveshja për naftën dizel mes SHBA-së dhe Rusisë nuk do të jetë kurrë e mjaftueshme për të kompensuar ndikimin e situatës në Ngushticën e Hormuzit në tregjet globale. Përkundrazi, sipas tij, ajo do të “fusë më shumë para drejtpërdrejt në xhepin e Putinit për të financuar këtë luftë”.
Ai theksoi nevojën për një paketë të fuqishme të 22-të të sanksioneve të BE-së, duke kërkuar veçanërisht masa kundër të gjithë atyre që janë të përfshirë në prodhimin e raketave balistike ruse, sistemeve të avancuara të komunikimit dhe dronëve.
Zelenskyy tha se kostoja financiare e konfliktit të vazhdueshëm për Ukrainën do të arrijë në 155 miliardë euro vitin e ardhshëm dhe se vendit i nevojiten të paktën 70 miliardë euro shtesë për shpenzimet, përfshirë blerjet në fushën e mbrojtjes.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për të trajtuar çështjen e aseteve të ngrira ruse, si dhe u bëri thirrje liderëve evropianë të shfrytëzojnë çdo mundësi për të forcuar mbrojtjen ajrore. Në veçanti, ai kërkoi një paketë dimërore që përfshin 300 raketa interceptuese Patriot kundër raketave balistike ruse.
“Jemi mirënjohës që BE-ja po na afrohet. Katër grupkapituj negociues për anëtarësimin në BE janë hapur tashmë këtë vit. Dhe duhet të hapim dy të tjerët deri në fund të vitit. Ne jemi gati”, tha Zelenskyy, duke i bërë thirrje bllokut që të vazhdojë t’i mbajë të ndërlidhura proceset e anëtarësimit të Ukrainës dhe Moldavisë.
Duke e cilësuar unitetin në Evropë si një objektiv të Rusisë, Zelenskyy tha se, pavarësisht mosmarrëveshjeve dhe dallimeve mes tyre, të gjithë synojnë krijimin e një sistemi sigurie në Evropë që “funksionon vërtet dhe mund të përballojë kërcënimet e sotme”.
“Pra, ndërsa po punojmë tani për ta ndalur më në fund Putinin dhe për t’i dhënë fund luftës së tij, nuk po e bëjmë këtë vetëm për Ukrainën. Po punojmë për garanci sigurie për të gjithë Evropën. Për garanci që kjo luftë të mos u trashëgohet fëmijëve tanë”, tha ai.
Ai shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që mbështesin Ukrainën dhe për ata që po përpiqen të ruajnë unitetin mes Evropës dhe SHBA-së.
“Putini do ta dëgjojë Amerikën nëse Amerika ushtron vërtet presion të fortë ndaj tij dhe ia bën të qartë një gjë: ose zgjedh paqen, ose nuk merr më para për luftën e tij”, tha ai.
Dje, Zelenskyy mbërriti në Bruksel për të marrë pjesë në samitin e Këshillit Evropian dhe për të zhvilluar një sërë takimesh në margjinat e tij.
Sot, ai u takua me presidentët e Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian, si dhe zhvilloi bisedime me kryeministrat e Hungarisë, Finlandës dhe Suedisë.
Dje, ai u takua me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, mbretin e Belgjikës, Philippe, si dhe me kryeministrat e Belgjikës, Danimarkës dhe Polonisë.

