Rrjeti i Mjekëve të Sudanit paralajmëron për përkeqësimin e kushteve për mbi 6.500 persona të mbajtur nga RSF-ja
Rrjeti i Mjekëve të Sudanit ka paralajmëruar për përkeqësimin e kushteve shëndetësore dhe humanitare për më shumë se 6.500 persona të mbajtur nga Forcat paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në El Geneina në Darfurin Perëndimor, mes mungesës së ushqimit dhe rritjes së numrit të vdekjeve të përditshme, transmeton Anadolu.
Grupi i pavarur mjekësor tha se kishte marrë “informacione të besueshme” që tregojnë se më shumë se 6.500 pjesëtarë të ushtrisë dhe civilë po mbahen në disa qendra ndalimi në qytet, përfshirë 709 gra dhe rreth 500 fëmijë nën moshën 18-vjeç.
“Vendet e ndalimit përfshijnë ish-selinë e Misionit të Përbashkët të OKB-së dhe Unionit Afrikan në Darfur (UNAMID), selinë e Divizionit të 15-të të Këmbësorisë dhe Burgun e Ardamatës”, thuhet në deklaratë.
Rrjeti shprehu shqetësim për mungesën e ushqimit dhe përkeqësimin e gjendjes shëndetësore në këto objekte, duke paralajmëruar për rreziqet serioze me të cilat përballen mijëra të ndaluar, përfshirë qindra gra dhe fëmijë.
Ai raportoi rritje të numrit të vdekjeve të përditshme dhe bëri thirrje për veprime urgjente për të përcaktuar shkaqet dhe për të garantuar që të ndaluarit të marrin ushqim dhe kujdes të duhur mjekësor.
Grupi u kërkoi autoriteteve të sigurojnë ujë të pijshëm të sigurt, ushqim dhe kujdes shëndetësor për të gjithë të ndaluarit, si dhe t’u mundësojnë organizatave të pavarura mjekësore dhe humanitare qasjen në këto objekte për të vlerësuar kushtet.
Ai kërkoi gjithashtu që të bëhen të ditura vendndodhja dhe fati i të ndaluarve, të garantohen siguria e tyre dhe mbrojtja nga tortura e keqtrajtimi, si dhe të sigurohet mbrojtje e veçantë për gratë dhe fëmijët.
RSF-ja nuk ka reaguar ndaj këtyre pretendimeve.
Autoritetet sudaneze dhe organizatat për të drejtat e njeriut vlerësojnë se 19.800 persona, përfshirë pjesëtarë të ushtrisë, civilë, gra dhe fëmijë, po mbahen në qendrat e ndalimit të drejtuara nga RSF-ja.
Në muajin qershor, Sudani i paraqiti një memorandum Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për “shkeljet e rënda dhe sistematike të së drejtës ndërkombëtare humanitare” ndaj mijëra civilëve dhe robërve të luftës në qendrat e ndalimit në Darfur, të kontrolluara nga RSF-ja.
RSF-ja kontrollon të pesë shtetet e Darfurit në Sudanin perëndimor, me përjashtim të disa pjesëve të Darfurit Verior dhe Darfurit Perëndimor që mbeten nën kontrollin e ushtrisë. Ushtria kontrollon shumicën e shteteve të tjera të vendit, përfshirë kryeqytetin Khartum.
Sudani është përfshirë në një luftë mes ushtrisë dhe RSF-së që nga prilli i vitit 2023, për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me integrimin e forcës paramilitare në ushtri. Konflikti ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima dhe ka zhvendosur 13 milionë persona, ndërsa ka nxitur urinë dhe një nga krizat më të rënda humanitare në botë.

