Izraeli ka arrestuar mbi 2.000 fëmijë palestinezë që nga viti 2023

Izraeli ka arrestuar mbi 2.000 fëmijë palestinezë që nga viti 2023

Izraeli ka arrestuar më shumë se 2.000 fëmijë palestinezë që nga fillimi i luftës gjenocidale në Rripin e Gazës ndërsa të paktën 350 prej tyre vazhdojnë të mbahen në paraburgim në kushte të rënda, njoftoi të mërkurën Shoqata e të Burgosurve Palestinezë në një raport, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Organizata joqeveritare bëri të ditur se ushtria izraelite ka arrestuar gjashtë fëmijë gjatë natës në vendbanimet Sa’ir dhe Al-Shuyukh, në guvernatoratin e Khalilit, në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Sipas organizatës, monitorimi dhe dokumentimi tregojnë se “më shumë se 2.000 fëmijë janë arrestuar që nga fillimi i gjenocidit, në tetor të vitit 2023 ndërsa të paktën 350 vazhdojnë të mbahen në paraburgim në kushte të rënda”.

Grupi paralajmëroi për shtimin e rasteve të shënjestrimit të fëmijëve palestinezë përmes praktikave që përfshijnë frikësimin, arrestimin, torturën, urinë e detyruar, izolimin dhe mohimin e kujdesit shëndetësor.

Ai shtoi se të dhënat për numrin e fëmijëve të ndaluar nga Rripi i Gazës që nga fillimi i luftës mbeten të paqarta, veçanërisht për shkak të mijëra personave të zhdukur në enklavë, mes tyre edhe fëmijë si dhe praktikës së vazhdueshme të “zhdukjeve me forcë”.

Grupi tha se politika e Izraelit për ndalimin administrativ, sipas së cilës palestinezët mbahen të ndaluar pa akuza të bëra publike dhe pa një afat të qartë për lirimin e tyre, i lë fëmijët përballë një të ardhmeje të pasigurt dhe i privon nga qëndrueshmëria familjare dhe arsimore.

Ai tha se gjykatat izraelite kontribuojnë në vazhdimin e shkeljeve ndaj fëmijëve, në kushtet e mungesës së mekanizmave efektivë të llogaridhënies.

– Kushtet e ndalimit
Shoqata e të Burgosurve Palestinezë përmendi rastin e fëmijës Walid Khaled Ahmad, i cili “vdiq në burgun Megiddo në mars të vitit 2025 ndërsa të dhënat mjekësore të asaj kohe tregonin dobësim të rëndë fizik dhe shenja të kequshqyerjes dhe dehidratimit”.

Grupi ngriti pikëpyetje lidhur me përgjegjësinë për vdekjen e tij, duke vënë në dukje se hetimi për rastin ishte mbyllur.

Ai përmendi rastin e 15-vjeçarit Mohammed Hamid, i cili, sipas organizatës, u prek nga zgjebja gjatë qëndrimit në burgun “Ofer”, gjë që çoi në përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore dhe në infeksione të rënda që prekën organet jetësore.

Hamid iu nënshtrua ndërhyrjeve kirurgjikale në zemër dhe u shtrua në kujdesin intensiv në gjendje kritike, përpara se më vonë t’i amputohej njëra këmbë, tha grupi.

Ai shtoi se Hamid ka vazhduar të marrë trajtim mjekësor për rreth tre muaj që nga lirimi i tij nga autoritetet izraelite, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Grupi e cilësoi këtë veprim si “shmangie të përgjegjësisë për kujdesin e tij mjekësor”.

Grupi bëri thirrje për veprime ndërkombëtare për të siguruar lirimin e fëmijëve të ndaluar në mënyrë arbitrare, për t’i dhënë fund ndalimit administrativ dhe marrjes në pyetje nën presion si dhe për të ndaluar torturën, urinë e detyruar dhe mohimin e trajtimit mjekësor.

Që nga tetori i vitit 2023, më shumë se 74 mijë palestinezë janë vrarë dhe mbi 175 mijë janë plagosur në Gaza gjatë gjenocidit izraelit ndërsa rreth 90 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Që nga fillimi i gjenocidit të Izraelit në Rripin e Gazës, në tetor të vitit 2023, bastisjet e ushtrisë izraelite dhe sulmet e kolonëve kundër palestinezëve dhe pronave të tyre janë intensifikuar në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor.

MARKETING