Hakerët shkrinë frigoriferët e supermarketeve në Francë, produkte me vlerë miliona euro përfunduan në deponi
Hakerët rritën gjatë natës temperaturën e frigoriferëve dhe ngrirësve në qindra supermarkete franceze deri në 50 gradë Celsius, duke shkaktuar zjarre dhe prishjen e ushqimeve. Prokuroria në Paris njoftoi të hënën se një sulm i përmasave të mëdha kishte prekur frigoriferët e lidhur me internetin në disa zinxhirë të mëdhenj të shitjes së ushqimeve në të gjithë Francën, duke shkaktuar humbje të ushqimeve dhe zjarre, transmeton Reuters.
Kryeministri Sébastien Lecornu i ka kërkuar Agjencisë Kombëtare të Francës për Sigurinë Kibernetike (ANSSI) të zhvillojë një hetim, tha një person nga kabineti i tij.
Franca është koordinuar me partnerët evropianë, pasi mund të jenë prekur edhe vende të tjera, tha ky person, duke shtuar se autoritetet po vlerësojnë nëse edhe kompani të tjera franceze janë të ekspozuara ndaj rrezikut.
Felix Aim, analist i lartë i inteligjencës për kërcënimet kibernetike, tha se ishin prekur edhe Spanja, Portugalia, Polonia, Gjermania dhe Belgjika.
Carrefour njoftoi se ishin prekur 80 nga supermarketet e tij, ndërsa Monoprix, që menaxhon rreth 490 dyqane në Francë, bëri të ditur se ishin prekur 5 për qind e dyqaneve të tij.
Pronari i zinxhirit të shitjes me pakicë Intermarché njoftoi se frigoriferët në rreth 150 dyqane të tij ishin ngrohur deri në 50 gradë Celsius gjatë gjashtë orëve të natës. Një zëdhënës tha se të gjitha ushqimet e prekura ishin hedhur për të eliminuar rreziqet shëndetësore.
Banori i Parisit, Gert de Clercq, ishte dëshmitar i momentit kur punonjësit e Intermarché në qendër të Parisit hodhën karroca të mbushura me ushqime të shkrira në një kontejner të madh mbeturinash, ndërsa akullorja e shkrirë rridhte nga paketimet e dëmtuara në rrugë.
Drejtori ekzekutiv i kooperativës, Dominique Schelcher, tha se edhe grupi i tij i supermarketeve ishte shënjestër e sulmit.
„Sulmi ndaj pajisjeve thelbësore për ruajtjen e produkteve të freskëta dhe furnizimin me ushqime të popullit francez është jashtëzakonisht serioz dhe i paprecedentë“, shkroi ai në platformën X.
Nuk kishte ende një vlerësim të menjëhershëm të humbjeve në të gjithë industrinë, por drejtori ekzekutiv i Intermarché, Thierry Cotillard, tha se sulmi i paprecedentë mund të shkaktonte humbje prej dhjetëra milionë eurosh në mbarë vendin brenda një dite.
Christel Delberghe, drejtoreshë e përgjithshme e shoqatës evropiane të tregtisë me pakicë EuroCommerce, tha: „Ky incident thekson rëndësinë e qëndrueshmërisë dhe aftësisë për t’u përballur me krizat në të gjithë zinxhirin e furnizimit“.
Sistemet e ftohjes në supermarketet zakonisht menaxhohen nga panele kontrolli që rregullojnë frigoriferët dhe ngrirësit e të gjithë dyqanit. Këto sisteme mund të kontrollohen përmes internetit, duke u mundësuar kompanive të mirëmbajtjes të bëjnë rregullime nga kudo.
Burimi pranë Lecornut tha se ANSSI kishte identifikuar një cenueshmëri në softuerin e ofruar nga kompania daneze Danfoss, e cila deklaroi se ishte në dijeni të incidenteve në Francë që preknin një numër të kufizuar sistemesh të menaxhimit të ftohjes.
Njësitë e prekura funksiononin me versione të vjetruara të firmuerit, deklaroi kompania, duke shtuar se klientëve u ishte rekomanduar t’i përditësonin sistemet e mbështetura me versionin më të fundit të firmuerit dhe t’i kalonin sistemet e vjetra në zgjidhje të gjeneratës aktuale.

