Arabia Saudite ka refuzuar ofertën e Izraelit për t’u bashkuar me luftën kundër grupit Huthi
Princi i kurorës saudite, Mohammed bin Salman, ka refuzuar një përpjekje të Izraelit për t’iu bashkuar fushatës ushtarake kundër grupit Huthi të Jemenit, pavarësisht përpjekjeve për të siguruar miratimin e Riadit përmes ndërmjetësimit të SHBA-së, raportoi të hënën gazeta izraelite Haaretz, transmeton Anadolu.
Duke cituar një burim diplomatik të paidentifikuar, e përditshmja tha se princi i kurorës nuk është i interesuar për ndihmën ushtarake izraelite, nga frika se bashkëpunimi me Izraelin mund të provokojë një reagim negativ në publikun saudit.
Një burim tjetër i njohur me këtë çështje tha se Izraeli shpreson se bashkëpunimi ushtarak me Arabinë Saudite do të forcojë lidhjet dypalëshe dhe do të hapë rrugën për një marrëveshje të ardhshme normalizimi.
Nuk ka patur asnjë koment të menjëhershëm nga autoritetet saudite mbi raportimin.
Arabia Saudite nuk ka marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe ka pohuar se normalizimi varet nga zgjidhja e çështjes palestineze, duke përfshirë krijimin e një shteti palestinez.
Raporti vjen në mes të sulmeve të përshkallëzuara të Huthive në Arabinë Saudite, duke përfshirë sulme të përsëritura në aeroporte që kanë shkaktuar viktima dhe ndërprerje të fluturimeve.
Një sulm në Aeroportin Ndërkombëtar të Mbretit Khalid në Riad të shtunën vrau 13 persona dhe plagosi më shumë se 300 të tjerë.
Një tjetër sulm në të njëjtin aeroport të dielën vrau një banor pakistanez dhe plagosi 11 të tjerë, sipas Autoritetit të Përgjithshëm të Aviacionit Civil të Arabisë Saudite.
Përshkallëzimi filloi në korrik pas një periudhe qetësie relative pasi një armëpushim i ndërmjetësuar nga OKB-ja hyri në fuqi në prill 2022.
Jemeni ka qenë në luftë që kur rebelët Huthi pushtuan kryeqytetin Sanaa dhe disa provinca në shtator 2014 përpara se një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite të ndërhynte në mars 2015 në mbështetje të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të vendit.

