Polonia bën thirrje për sanksione më të ashpra kundër Rusisë për të penguar agresionin e mëtejshëm
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk bëri thirrje sot për sanksione më të ashpra kundër Rusisë, duke thënë se Evropa dhe SHBA-ja duhet të demonstrojnë gatishmërinë e tyre për të penguar Moskën ndërsa lufta e saj me Ukrainën vazhdon, transmeton Anadolu.
“Ky është momenti kur i gjithë Perëndimi, Evropa, Shtetet e Bashkuara duhet t’i tregojnë Rusisë dhe Putinit se ne jemi gati për një politikë parandaluese me masa edhe më të ashpra, dhe e kam fjalën kryesisht për sanksione”, tha Tusk në Forumin e Sigurisë në Varshavë.
Ai tha se do të udhëtonte në Bruksel për t’i nxitur partnerët evropianë që të konsiderojnë seriozisht rritjen e sanksioneve kundër Rusisë. “Asgjë dhe askush nuk do të heqë 100 për qind përgjegjësinë e Rusisë për luftën në Ukrainë”, tha Tusk duke shtuar se Ukraina po lufton për mbijetesën e saj ndërsa Rusia po lufton për dominim.
“Ukraina po lufton për mbijetesë. Rusia po lufton për dominim”, theksoi ai. Tusk tha se paqja nuk mund të arrihet përmes dobësisë, duke argumentuar se Rusia duhet të ndalet me mjetet e disponueshme. “Askush nuk dëshiron përshkallëzim dhe luftë. Ne të gjithë po ëndërrojmë për paqen, rruga drejt paqes nuk është përmes dobësisë. Rruga drejt paqes është përmes ndalimit të agresorit me të gjitha mjetet në dispozicion”, tha ai.
Tusk u kërkoi vendeve evropiane të vazhdojnë të mbështesin Kievin, duke thënë se siguria kombëtare dhe sovraniteti janë të lidhura ngushtë me aftësinë e Ukrainës për të mbrojtur veten kundër agresionit rus. “Nëse doni të kujdeseni për interesat tuaja kombëtare, nëse mendoni për sigurinë e bashkatdhetarëve tuaj, nëse dëshironi që vendi juaj të jetë sovran, detyra juaj sot është të mbështesni Ukrainën kundër agresionit rus”, deklaroi Tusk.
Ai akuzoi Moskën se kërkon të minojë arkitekturën ekzistuese të sigurisë në Evropë dhe të rivendosë dominimin rus në nivelet që ekzistonin para vitit 1989. “Rusia dëshiron të shkatërrojë arkitekturën ekzistuese të sigurisë në Evropë për të siguruar që dominimi rus të kthehet në vendin ku ishte para vitit 1989”, tha ai.

