Grupi Huthi i Jemenit: Goditëm me raketë balistike aeroportin “Mbreti Khalid” në Riad
Grupi Huthi i Jemenit tha sot se ka shënjestruar me një raketë balistike aeroportin ndërkombëtar “Mbreti Khalid” në kryeqytetin saudit Riad dhe se kishte goditur objektivin, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi ushtarak i Huthive, Yahya Saree tha në një deklaratë se raketa kishte ndërprerë trafikun ajror në aeroport. Ai paralajmëroi të gjitha kompanitë ajrore në mbarë botën “për herë të fundit” lidhur me pasojat e vazhdimit të fluturimeve në hapësirën ajrore të Arabisë Saudite.
Saree tha se hapësira ajrore saudite është bërë “teatër” për operacionet ushtarake të Huthive, duke theksuar se paralajmërimi nuk përfshin hapësirën ajrore mbi vendet e shenjta muslimane në Mekë dhe Medinë.
Jemeni është përfshirë nga konflikti që nga shtatori i vitit 2014, kur Huthit morën kontrollin e kryeqytetit Sana dhe të disa provincave, duke nxitur një koalicion të udhëhequr nga Arabia Saudite të ndërhynte në mars të vitit 2015 në mbështetje të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht.
Përshkallëzimi ushtarak që nisi në korrik ka shënuar luftimet më të gjera në Jemen që nga qetësia relative e pasuar nga armëpushimi i ndërmjetësuar nga OKB-ja në prill të vitit 2022.
Ndërsa përleshjet u intensifikuan në shtator, Huthit morën kontrollin e disa zonave kyçe në provincat Hudeidah dhe Taiz dhe përparuan deri në ishullin Mayyun në Ngushticën e Bab al-Mandabit.

