Kamberi: “Koalicioni Shqiptar”, zyrtarisht listë zgjedhore për zgjedhjet në Serbi

Kamberi: “Koalicioni Shqiptar”, zyrtarisht listë zgjedhore për zgjedhjet në Serbi

“Koalicioni Shqiptar” është shpallur zyrtarisht listë zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, me statusin e listës së pakicës kombëtare shqiptare.

MARKETING

Shik.mk

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i PVD-së dhe lideri i koalicionit, Shaip Kamberi, i cili tha se brenda dy ditësh janë mbledhur 6.319 nënshkrime mbështetëse, ndërsa 5.988 prej tyre janë vlerësuar të vlefshme.

Kamberi ka falënderuar qytetarët që kanë mbështetur listën, si dhe aktivistët që, sipas tij, kanë kontribuuar në përmbylljen e procesit.

Lista përbëhet nga 10 kandidatë, pesë gra dhe pesë burra, nga Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Pazari i Ri.

Sipas Kamberit, bazuar në të dhënat e CeSID-it, “Koalicioni Shqiptar” është lista e tetë me statusin e pakicës kombëtare dhe e 17-ta e shpallur në procesin zgjedhor.

Ai ka thënë se marrëveshja e arritur më 29 shtator në Prishtinë, me ndërmjetësimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është konkretizuar tashmë përmes pjesëmarrjes së përbashkët në zgjedhje.

“Si prijës i ‘Koalicionit Shqiptar’, e ndiej përgjegjësinë që sjell ky besim. Përkushtimi im mbetet përfaqësimi me dinjitet, mbrojtja e të drejtave dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve”, ka shkruar Kamberi.

Ai ka shtuar se angazhimi i koalicionit do të dëshmohet përmes punës së përditshme.

MARKETING