Trump: SHBA tërhoqi bombarduesit nga Britania pas një kërcënimi
Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara larguan bombarduesit B-1 nga baza RAF Fairford në Britaninë e Madhe për shkak të një kërcënimi sigurie. Pentagonit kishte konfirmuar më herët kthimin e avionëve në bazat e tyre në SHBA.
“Ka pasur disa kërcënime”, u tha Trump gazetarëve, duke shtuar se avionët “nuk u larguan rastësisht”. Presidenti amerikan tha gjithashtu se autoritetet dinë se kush qëndron pas kërcënimit dhe, i pyetur për Iranin, tha se personat do të ishin të lidhur me Teheranin.
Natyra e saktë e kërcënimit nuk është bërë publike. Raportime mediatike në SHBA kanë ngritur mundësinë e një sulmi me dron, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Vendimi erdhi pas një incidenti pranë RAF Fairford më 27 shtator, kur policia britanike nisi hetime pasi u raportuan automjete të dyshimta pranë bazës. Pesë shtetas britanikë u arrestuan fillimisht nën dyshimet për vepra terroriste dhe më pas u liruan me kusht. Një shtetas me nënshtetësi britanike dhe iraniane u arrestua gjithashtu më vonë dhe u lirua me kusht. Hetimet vazhdojnë.
Autoritetet britanike kanë folur për indicie të një përfshirjeje të mundshme iraniane, ndërsa Teherani i ka mohuar akuzat.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance e përshkroi largimin e bombarduesve si masë paraprake sigurie. Ndërsa Sekretari i Shtetit Marco Rubio përdori një formulim më të rezervuar, duke thënë se lëvizja e mjeteve ushtarake midis bazave është një praktikë e zakonshme dhe duke shmangur lidhjen e drejtpërdrejtë të vendimit me një komplot iranian.
RAF Fairford, në Gloucestershire, përdoret prej dekadash nga forcat ajrore amerikane si një bazë e rëndësishme për operacionet e bombarduesve në Europë dhe më gjerë.
Sipas Reuters, largimi i avionëve mund të zvogëlojë përkohësisht aftësinë e SHBA-së për të dislokuar shpejt bombardues në operacionet që lidhen me Lindjen e Mesme, megjithëse kapacitetet amerikane mund të zhvendosen edhe në baza të tjera.

