Protestuesit zhvendosen te Ministria e Drejtësisë, Haziri kërkon procedimin e ligjit për Specialen
Për të 17-ën ditë me radhë, qytetarë janë mbledhur në Prishtinë në kuadër të protestës “Jo në emrin tim”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Pas tubimit në sheshin “Skënderbeu”, protestuesit janë drejtuar në këmbë për te Ministria e Drejtësisë, ku organizatori i protestës, Çlirim Haziri, i ka bërë thirrje ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, që të procedojë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Kërkesën tonë prej qeverisë e sollëm te dyert e kësaj ministrie, te ministrja Donikë. I kërkojmë sot këtu, ta procedojë atë ligj të UÇK-së. Ta procedojë, se në tavolinën e saj e ka dinjitetin e kombit tonë, e ka identitetin tonë kombëtar. E ne nuk do të ndalemi asnjë natë derisa kjo ministri ta procedojë ligjin”, tha Haziri.
Haziri ka deklaruar se protestuesit do të vazhdojnë tubimet deri në realizimin e kërkesës së tyre.
Më herët, nga sheshi “Skënderbeu”, ai u kishte bërë thirrje Kuvendit dhe Qeverisë që të votojnë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Edhe sonte në këtë shesh, derisa Kosovës e UÇK-së t’i kthehet dinjiteti. Votojeni ligjin, sepse nuk kemi kohë të presim. Kosova nuk do të jetë e qetë pa e mbrojtur UÇK-në. Lavdi dëshmorëve e UÇK-së”, ka thënë Haziri.
Gjatë protestës, Haziri u ka bërë thirrje pjesëmarrësve që të shmangin përdorimin e mjeteve piroteknike në drejtim të Policisë.
“Motra e vëllezër, mos e gjuani asnjë mjet piroteknik drejt policisë. Në mesin tonë ka fëmijë e nëna, mos gjuani”, ka kërkuar ai.
Protestat “Jo në emrin tim” po mbahen në Prishtinë prej 17 ditësh, pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

