Mijëra qytetarë protestojnë në sheshet e Prishtinës kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale

Mijëra qytetarë protestojnë në sheshet e Prishtinës kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale

Disa mijëra qytetarë të ardhur nga të gjitha qytetet dhe rajonet e territorit të Republikës së Kosovës, kanë protestuar të mërkurën nën mesazhin “Jo në emrin tim”, për të kundërshtuar aktgjykimin dënues të Gjykatës Speciale për katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), raporton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Në protestën e organizuar nga platforma “Liria ka emër”, qytetarët përçuan mesazhe në mbështetje të UÇK-së, duke mbajtur flamuj, uniforma dhe simbole të saj.

Shumë folës, në mesin e të cilëve edhe veteranë të luftës dhe familjarë të dëshmorëve, iu drejtuan protestuesve me nga një fjalë rasti.

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, u është drejtuar deputetëve dhe ndërkombëtarëve me nga një kërkesë.

Ai ka thënë se deputetët duhet të bashkohen, ndërsa ndërkombëtarëve u ka kërkuar kthimin e besimit, sepse, sipas tij, ata e kanë tradhtuar Kosovën në çështjen e gjykimit.

“Dy gjëra i kam. E para, 100 deputetet që jeni atje, secili me përgjegjësinë e vet, ju thërrasim për bashkim. Ndërsa për ndërkombëtarët që u besuam sepse na ndihmuan në luftën e UÇK-së, të cilën e fituam bashkë. Ata u ndanë pa viktima sepse ne na kishin këtu, ata e morën mburrjen, ne e morëm lirinë, por tani u themi: na keni tradhtuar dhe na e ktheni besimin”, theksoi Haradinaj.

I biri i heroit Xhavit Haziri, Çlirimi, që është një prej organizatorëve të protestave ndaj Gjykatës Speciale, në fjalimin e tij i është drejtuar rinisë, duke theksuar se 1 tetori është zgjedhur si ditë për të protestuar për shkak se si datë simbolizon qëndresën kur studentët në vitet 90 dolën për të protestuar për universitetin dhe të drejtën për të qenë të lirë në vendin e tyre.

“Sot dua t’i drejtohem veçanërisht rinisë së Kosovës, brezit të pasluftës, rinisë trime: ju nuk e keni parë luftën me sy, por jeni rritur me lirinë qe doli prej saj. Ju jeni brezi qe e keni fitoren më të freskët. Në shumë prej shtëpive tuaja, historia nuk është vetëm një fotografi në libër, por është fotografi në mur. Dhe, ndoshta pikërisht për këtë, kjo rini nuk e njeh përkuljen, frikën dhe heshtjen kur mendon që po i bëhet padrejtësi vendit të vet sepse ju nuk jeni rritur në robëri, por jeni rritur në liri”, tha Haziri.

Që nga dita e shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Speciale, në Kosovë çdo natë janë mbajtur protesta në kundërshtim të saj, ndërsa po ashtu protesta u organizuan edhe nëpër shtete të ndryshme të botës, kudo që jetojnë shqiptarët.

Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u shpallën fajtor dhe u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërkaq Kadri Veseli me 18 vjet burgim dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim nga Gjykata Speciale.

Ish-udhëheqësit e UÇK-së u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

MARKETING