Putin: Moska ishte e gatshme të rifillonte bisedimet me Kievin pas zgjedhjeve, por Ukraina sulmoi qendrat e voti
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se Moska ishte e gatshme të shqyrtonte rifillimin e negociatave me Kievin pas zgjedhjeve, por akuzoi Ukrainën se kishte sulmuar Moskën dhe qendrat e votimit, transmeton Anadolu.
Duke folur për gazetarët pas seancës plenare të Forumit të Kulturave të Bashkuara në Shën Petersburg, Putin tha se të gjitha propozimet për një zgjidhje paqësore ishin “në tryezë”, por Rusia do ta “shqyrtojë seriozisht çështjen” dhe do të marrë vendime në përputhje me interesat e saj.
Putin tha se sulmet ukrainase kishin shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturën civile dhe energjetike, si dhe në më shumë se 100 anije në Detin e Zi, përfshirë anije me flamur rus dhe të huaj. Ai shtoi se Rusia i kishte riparuar dëmet.
Presidenti rus tha se përgjigjja e Moskës ndaj sulmeve kishte qenë mjaft e ashpër, saqë Kievi tani po kërkon ndalimin e goditjeve, përfshirë ato që synojnë infrastrukturën energjetike.
Ai gjithashtu hodhi poshtë sugjerimet se Rusia po përgatitej për një luftë me Evropën, duke theksuar se Moska “nuk ka plane të tilla” dhe se nuk ka arsye apo motiv për përshkallëzimin e tensioneve.
“Ne nuk po përgatitemi për asnjë veprim ushtarak me Evropën. Nuk kemi plane të tilla. Dhe, më e rëndësishmja, nuk ka baza për to”, tha ai.
Putin akuzoi ato që i quajti “qarqe agresive” në Evropë se po përdorin Ukrainën si mjet kundër Rusisë dhe pretendoi se qeveritë evropiane po përpiqen të justifikojnë vazhdimin e mbështetjes për Kievin duke e paraqitur Rusinë si kërcënim.
Putin tha se Rusia ishte në dijeni të asaj që ajo i konsideron shkelje të të drejtave të popullsive rusishtfolëse në shtetet baltike, por se do ta trajtonte çështjen përmes kanaleve humanitare dhe juridike ndërkombëtare.
“Ne do të vazhdojmë të luftojmë për të drejtat e bashkatdhetarëve tanë, por brenda kornizës së së drejtës ndërkombëtare”, tha ai.
Duke folur për marrëdhëniet SHBA-Kinë, Putin mirëpriti bisedimet mes dy vendeve, duke shtuar se marrëveshjet ndërmjet dy ekonomive më të mëdha në botë do të kishin pasoja për ekonominë globale.
Ai tha se marrëdhëniet ekonomike të Rusisë me SHBA-në tani janë “pothuajse zero”, ndërsa tregtia me Kinën ka arritur në 240 miliardë dollarë.
Putin tha se pjesëmarrja e tij në samitin e ardhshëm të APEC-ut në Kinë ende nuk ishte finalizuar dhe se kjo do të varej nga situata brenda Rusisë. Ai tha se samiti është një ngjarje e rëndësishme ndërkombëtare dhe se kishte marrë një ftesë.

