Mbetet në fuqi masa “arrest në shtëpi” ndaj ish-shefes së Shërbimit Informativ të Shqipërisë, Vlora Hyseni
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi masën “arrest në shtëpi” ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit të Shqipërisë (SHSH), Vlora Hyseni, e dyshuar sipas autoriteteve për veprat penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Përkrahje e autorit të krimit”, transmeton Anadolu.
Në GJKKO u mbaj sot seanca për vlerësimin e masës së sigurisë dhe për marrjen në pyetje ndaj Hysenit dhe dy personave të tjerë të arrestuar për këtë çështje. Në një njoftim zyrtar nga GJKKO-ja thuhet se gjykata ka vendosur “vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues ‘arrest në shtëpi’ ndaj personit nën hetim Vlora Hyseni”.
Në kuadër të kësaj çështjeje gjykata ka lënë në fuqi masat “arrest në burg” për një përgjegjës sektori në Institutin e Policisë Shkencore të Shqipërisë dhe ndaj një punonjësi të një shoqërie private.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e Shqipërisë (SPAK) konfirmoi më 22 shtator se GJKKO-ja ka vendosur ndaj Hysenit më 21 shtator masat “arrest në shtëpi” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
Sipas SPAK-ut, Hyseni është e dyshuar për veprat penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Përkrahje e autorit të krimit”. Pas këtyre zhvillimeve, me propozim të kryeministrit Edi Rama, presidenti Bajram Begaj vendosi shkarkimin nga detyra të Vlora Hysenit.
Raportohet se hetimet lidhen me implikimet për personat e tjerë të hetuar më parë për dosjen e njohur si “Çështja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”.
Vlora Hyseni është emëruar në krye të SHISH-it në prill të vitit 2023. Ajo ka mbajtur post drejtues edhe në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

