Turqia: Deklaratat e ministrit izraelit kundër presidentit tonë, nuk mund të mbulojnë atë që po ndodh në Gaza
Drejtori i Komunikimeve Presidenciale të Turqisë, Burhanettin Duran ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit izraelit të Mbrojtjes, Yisrael Katz, në lidhje me fjalimin e presidentit Recep Tayyip Erdogan në Asamblenë e Përgjithshme të 81-të të Kombeve të Bashkuara (OKB), transmeton Anadolu.
Në një postim në llogarinë e tij në platformën turke të medias sociale NSosyal, Duran tha: “Deklaratat pa nivel dhe të pahijshme të ministrit izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz kundër presidentit tonë, z.Recep Tayyip Erdogan, nuk mund të mbulojnë atë që po ndodh në Gaza, as nuk e bëjnë të padukshëm regjistrin gjenocidal të administratës izraelite përpara ndërgjegjes njerëzore dhe historisë”.
“Ne e kuptojmë interesin e veçantë të Katzit për serialet turke. Megjithatë, atij i duhet bërë një kujtesë e vogël. Historia nuk mësohet gjithmonë nga serialet, ajo shkruhet në kujtesën e kombeve dhe në ndërgjegjen e njerëzimit. Edhe pikërisht kjo është vërteta reale që një mentalitet i shkëputur nga realiteti e ka të vështirë ta shohë. Sot historia po shkruhet para syve tanë”, tha Duran.
Më tej ai shtoi se “nën udhëheqjen e presidentit tonë z.Recep Tayyip Erdogan, Turqia vazhdon të jetë zëri i drejtësisë, paqes dhe të shtypurve. Ndërsa persekutimi izraelit në Gaza përballet me akuza të rënda në axhendën e bashkësisë ndërkombëtare dhe ligjit”.
“E vërteta që presidenti ynë i nderuar ia kujton gjithë botës me fjalët e poetit tonë është e qartë. Ata mendojnë se nëse heshtim nuk do të ketë asnjë problem. Megjithatë nëse ne heshtim, nuk do të heshtë historia. Edhe sikur historia të heshtë, e vërteta nuk do të heshtë. Edhe sikur t’i shpëtojnë mundimit të historisë, nuk do t’i shpëtojnë dot zemërimit të Allahut”, tha Duran.

