PDK-ja mirëpret vendimin e Kushtetueses, kërkon që Kuvendi ta votojë Projektligjin për Specialen

PDK-ja mirëpret vendimin e Kushtetueses, kërkon që Kuvendi ta votojë Projektligjin për Specialen

Partia Demokratike e Kosovës ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese që konstatoi se Kuvendi është konstituuar dhe që Qeveria është zgjedhur në mënyrë kushtetuese.

MARKETING

Shik.mk

Në një reagim partia më e madhe e opozitës ka kërkuar që Kuvendi të mblidhet dhe ta votojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligji për Dhomat e Specializuara.

PDK-ja ka kërkuar që Kuvendi të mblidhet menjëherë dhe të përfshijë si pikë të parë në rendin e ditës Projektligjin që e kanë procedura në Kuvend të hënën.

“Për PDK-në, votimi i kësaj nisme ligjore është prioritet kombëtar në përpjekjen për drejtësi, për mbrojtjen e vlerave të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për respektimin e sakrificës së popullit të Kosovës për liri e pavarësi”, thuhet në reagim.

PDK-ja ka vlerësuar se vendimi i Kushtetueses u jep përgjigje shqetësimeve që ka ngritur për tejkalimin e afateve kushtetuese dhe për nevojën që vendi të ketë institucione funksionale.

“Që nga muaji gusht, PDK ka kërkuar përmbylljen e konstituimit të Kuvendit. Vonesat e njëpasnjëshme kanë penguar ushtrimin e përgjegjësive të tij dhe kanë zgjatur pasigurinë institucionale në një kohë kur qytetarët presin vendime për çështjet me rëndësi për vendin”, thuhet në reagim.
Në të njëjtën kohë, thuhet se PDK-ja ka kërkuar që kriza të zgjidhet përmes funksionalizimit të institucioneve.

“Kosova ka nevojë për një Kuvend që punon, për vendimmarrje dhe për institucione që mbajnë përgjegjësi para qytetarëve. Sipas vlerësimit të PDK-së, vendimi i Gjykatës Kushtetuese krijon mundësi që proceset institucionale të vazhdojnë pa vonesa të tjera. Kuvendi i ka edhe 13 ditë për ta përmbyllur procesin e konstituimit, për ta votuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, për ta zgjedhur Presidentin dhe për t’i shmangur zgjedhjet e parakohshme e të panevojshme”, thuhet në reagim.

MARKETING