Një avion amerikan F-16 rrëzohet në bazën ajrore Spangdahlem në Gjermani
Një avion luftarak amerikan F-16 u rrëzua të martën pasdite në bazën e Forcave Ajrore të SHBA-së në Spangdahlem, në Gjermaninë perëndimore, njoftuan autoritetet ushtarake në një deklaratë, transmeton Anadolu.
Avioni, i caktuar në Krahun e 52-të Luftarak, u rrëzua rreth orës 14:30 sipas kohës lokale, njoftoi zyra e shtypit e bazës ushtarake.
“Piloti u hodh me parashutë në mënyrë të sigurt dhe po merr trajtim mjekësor”, thuhet në deklaratë. “Shkaku i incidentit është nën hetim. Informacione shtesë do të publikohen sapo të jenë të disponueshme”, theksohet më tej.
Më herët të martën, rrethi Eifelkreis Bitburg-Prüm njoftoi se njësitë e zjarrfikësve dhe të mbrojtjes nga fatkeqësitë ishin dërguar në vendngjarje. “Sipas të dhënave aktuale, një person është lënduar”, tha administrata e rrethit, duke shtuar se nuk mund të jepte detaje të mëtejshme dhe duke u kërkuar gazetarëve të prisnin një deklaratë nga autoritetet ushtarake.

