Raportohet se Netanyahu nuk do të takohet me Trumpin gjatë vizitës “së shkurtër” në OKB
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, do të zhvillojë një vizitë “të shkurtër” në New York për t’iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, përpara se të kthehet në Izrael pa u takuar me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, raportoi të martën gazeta Haaretz, transmeton Anadolu.
Fjalimi i Netanyahut pritet t’u drejtohet kryesisht votuesve në Izrael, rreth një muaj para zgjedhjeve për parlamentin izraelit (Knesset), ndërsa ai pritet të përballet me një “pritje armiqësore” në New York.
Netanyahu pritet të niset drejt SHBA-së të mërkurën dhe të kthehet në Izrael disa orë pas fjalimit.
“Netanyahu nuk arriti të organizojë një takim me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, apo me anëtarë të lartë të administratës së tij dhe mbetet e paqartë nëse do të takohet me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio”, tha Haaretz.
Gazeta e përshkroi agjendën e takimeve të Netanyahut si “veçanërisht të kufizuar”, duke thënë se ajo përfshin vetëm dy takime në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme me liderë që i konsideron “mbështetës të Izraelit”.
Sipas një burimi anonim të cituar nga Haaretz, fjalimi në OKB është “një fjalim elektoral që u drejtohet kryesisht votuesve potencialë në Izrael”.
Netanyahu pritet ta mbajë fjalimin të enjten rreth orës 21:00 sipas kohës së Izraelit dhe të niset drejt vendit disa orë më vonë, për të mbërritur para fillimit të festës hebraike të Sukkotit të premten në mbrëmje.
Një burim tjetër tha se fjalimi do të përqendrohet te “lufta me Iranin dhe bashkëpunimi i ngushtë me presidentin e SHBA-së”.
– Pritje armiqësore
Masa të jashtëzakonshme sigurie do ta shoqërojnë Netanyahun gjatë vizitës në New York, mes protestave të planifikuara.
Haaretz tha se Netanyahu pritet të përballet me një “pritje armiqësore” në rrugë dhe brenda sallës së Asamblesë së Përgjithshme. Ambasadorët dhe anëtarët e delegacioneve diplomatike mund të largohen nga salla, ta ndërpresin fjalimin ose të ngrenë pankarta kundër tij.
Kryetari i Bashkisë së New Yorkut, Zohran Mamdani, i cili më parë kishte bërë thirrje për arrestimin e Netanyahut për shkak të urdhërarrestit ndërkombëtar ndaj tij, tha se nuk do t’u bashkohej personalisht protestuesve.
Mamdani tha në korrik se nuk kishte autoritetin ligjor për të zbatuar urdhërarrestin ndaj Netanyahut dhe i bëri thirrje qeverisë federale të ndërmerrte një veprim të tillë.
Në një video në platformën X, Mamdani tha se Netanyahu akuzohet për krime lufte dhe e mbajti atë përgjegjës për vdekjen e më shumë se 73.000 palestinezëve në Rripin e Gazës.
Netanyahu është në kërkim nga Gjykata Penale Ndërkombëtare që nga viti 2024, për shkak të akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj palestinezëve në Gaza.

