Presidenti Erdogan do të jetë sërish zëri i Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ashtu si në vitet e mëparshme kur ka marrë pjesë në takimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (AP-OKB), edhe këtë vit do të tërheqë vëmendjen e botës ndaj gjenocidit që po ndodh në Gazë, raporton Anadolu.
Sipas informacioneve të përmbledhura nga gazetari i AA-së, presidenti Erdogan, që nga koha e tij si kryeministër e deri më sot, e ka sjellë gjenocidin e Izraelit në Palestinë në agjendën botërore gjatë takimeve të OKB-së, duke u bërë zëri i Palestinës.
Në këto takime, Erdogan bëri thirrje që komuniteti ndërkombëtar të veprojë së bashku kundër mizorisë së Izraelit dhe theksoi shpesh se zgjidhja është krijimi sa më parë i një shteti të pavarur palestinez me tokë homogjene dhe me kryeqytet Kudsin Lindor, bazuar në kufijtë e vitit 1967.
Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të 62-të në vitin 2007, të cilin e mori pjesë si kryeministër, Erdogan deklaroi se problemi i Lindjes së Mesme përbën një nga burimet më të rëndësishme të paqëndrueshmërisë në rajonin ku ndodhet Turqia.
Duke thënë se ata e shohin problemin e Palestinës, i cili ka reflektime në të gjithë rajonin dhe më gjerë, si çështjen kryesore në qendër të konfliktit të Lindjes së Mesme, Erdogan vuri në dukje se lufta kundër problemit të Palestinës është një luftë që duhet zgjidhur jo vetëm në rajon, por edhe nga vendet jashtë rajonit me përpjekje të përbashkëta.
Ai thekson se situata është bërë edhe më e vështirë me përçarjen politike brenda vetë Palestinës.
“Një zgjidhje e përhershme politike për problemin e Palestinës dhe një paqe e gjithanshme e bazuar në vizionin e dy shteteve me Izraelin kanë rëndësi të madhe si për rajonin ashtu edhe për stabilitetin global. Besojmë se zgjidhja e konfliktit izraelito-palestinez do të ketë një ndikim pozitiv në zgjidhjen e problemeve të tjera në rajon. Jemi të gatshëm t’u japim çdo lloj mbështetje palëve në përpjekjet për ringjalljen e Procesit të Paqes dhe të kontribuojmë në takimin ndërkombëtar që parashikohet të organizohet”, tha presidenti turk.
– “Është përgjegjësia jonë ndërgjegjësore”
Edhe në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të 64-të në vitin 2009, Erdogan theksoi se një nga çështjet rajonale mbi të cilat Turqia insiston me ndjeshmëri është konflikti palestinezo-izraelit. Duke nënvizuar se ata e shohin zgjidhjen me dy shtete si një kusht të domosdoshëm të paqes botërore, Erdogan dha mesazhin se “Turqia ka qenë gjithmonë pranë popullit palestinez dhe do të vazhdojë të jetë”.
Ai tha se njerëzit në Gazë jetojnë në çadra (tenda) dhe nuk mund të gjejnë ujë për pije. “A po e bëjmë detyrën tonë humanitare kundër kësaj tabloje? Çfarë mund të bëjë OKB-ja apo Këshilli i Sigurimit? A ka një fuqi të tillë sanksionimi apo jo? Duhet të përqendrohemi me ndjeshmëri të veçantë në këtë çështje. Premtimet e dhëna për Gazën nuk u mbajtën”, tha Erdogan.
Duke deklaruar se zgjidhja e problemit të Palestinës, i cili është një nga pengesat më të mëdha për paqen rajonale dhe botërore, është e mundur vetëm nëse trajtohen të gjithë në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, Erdogan tha: “Përfundimi i dramës njerëzore në Gazë dhe krijimi i një mjedisi të përhershëm paqeje është përgjegjësia jonë njerëzore dhe ndërgjegjësore”.
Ai thotë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar të mos humbasë interesin dhe ndjeshmërinë për këtë çështje, për t’i dhënë vrull të ri përpjekjeve për zgjidhjen e problemit. “U bëjmë thirrje të gjitha palëve përkatëse të mos mbeten indiferente ndaj këtij problemi dhe të mos lejojnë që të përjetohen dhimbje të reja”, u shpreh Erdogan.
– “Mbështetja e Turqisë për njohjen e shtetit të Palestinës është e pakushtëzuar”
Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të 66-të në vitin 2011, Erdoğan theksoi se dështimi për të zgjidhur konfliktin palestinezo-izraelit dhe përkundrazi flijimi i të drejtave dhe drejtësisë çdo herë për hir të ekuilibrave politikë, është goditja më e madhe e dhënë ndjenjës së drejtësisë ndërkombëtare dhe përmendi se ka qindra vendime të marra nën ombrellën e OKB-së të cilat Izraeli i ka shkelur.
“OKB-ja ka mbetur aq e pafuqishme sa të mos ndërmarrë asnjë hap që do të siguronte përfundimin e dramës njerëzore që po përjeton populli palestinez. A mbetet Këshilli i Sigurimit i OKB-së kaq i heshtur ndaj atyre që nuk u binden vendimeve të tilla, ashtu siç vepron ndaj Izraelit, kur merr vendime të tilla sanksionimi për vende të ndryshme?”, tha Erdogan.
Ai tha se se territoret palestineze janë nën pushtim. “Është Izraeli ai që përdor forcë joporporsionale, por është përsëri Izraeli ai që nuk i nënshtrohet sanksioneve. Vendbanimet e paligjshme që vazhdojnë në territoret e okupuara palestineze pavarësisht të gjitha thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar dhe bllokada ndaj Gazës, janë dy çështjet më të spikatura në këtë kuadër. Po pyes; a ka ndonjë gjë në Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut si izolimi apo shkëputja e ndonjë shoqërie nga marrëdhëniet ndërkombëtare ose marrëdhëniet humanitare? Në Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut që kam lexuar unë, nuk ka një gjë të tillë. Nëse doni të futni një kuti domatesh në Palestinë, kjo i nënshtrohet lejes së Izraelit, dhe unë nuk e shoh këtë si humane”, tha presidenti Erdogan.
Duke vënë në dukje se çështja nuk është thjesht një ekuacion i thjeshtë “paqe për siguri”, Erdogan tha: “Duke lexuar saktë gjeografinë e re politike dhe njerëzore që ka filluar të lulëzojë në Lindjen e Mesme, ju duhet të shihni se nuk është më e mundur të vazhdohet një gjendje e përhershme konflikti dhe mosmarrëveshjeje. Nëse ne si komunitet ndërkombëtar besojmë në idealin e vendosjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, që është qëllimi i themelimit të OKB-së, është e nevojshme ta detyrojmë Izraelin për paqe, pavarësisht atyre që e qeverisin këtë vend, dhe t’i tregojmë qartë këtij vendi se ai nuk është mbi ligjin”.
Sipas tij, një nga hapat më të rëndësishëm që duhet ndërmarrë në këtë drejtim është përmbushja e kërkesës së drejtë të popullit palestinez për t’u njohur si shtet dhe që përfaqësuesit e shtetit të Palestinës të marrin vendin që meritojnë si anëtarë të OKB-së në këtë kuvend të lartë. “Mbështetja e Turqisë për njohjen e shtetit të Palestinës është e pakushtëzuar. Turqia është e gatshme të bëjë çdo përpjekje për të siguruar dominimin e paqes në gjeografinë e Lindjes së Mesme”, tha Erdogan.
– “Zgjidhja me dy shtete”
Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të 69-të të OKB-së në vitin 2014, të cilin e mbajti për herë të parë në cilësinë e presidentit, Erdogan e solli çështjen e Palestinës në agjendën botërore. Duke theksuar se ky problem është burimi kryesor i shumë çështjeve në rajon, Erdogan tha: “Zbatimi i menjëhershëm i zgjidhjes me dy shtete në Palestinë, heqja e bllokadës mbi Gazën dhe krijimi i një shteti të pavarur dhe të qëndrueshëm palestinez pranë Izraelit është një domosdoshmëri politike, humanitare dhe morale”.
Duke thirrur OKB-në për problemet globale, Erdogan bëri thirrjen: “Pa vonuar më shumë, pa lënë që më shumë njerëz të pafajshëm të humbin jetën, pa e lënduar më tej ndërgjegjen globale, OKB-ja duhet të vendosë peshën e saj në zgjidhjen e problemeve. Dëshiroj ta theksoj qartë se bota është më e madhe se 5. Fakti që 5 vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së e bëjnë OKB-së të paefektshme në një mënyrë që nuk përputhet me realitetet e botës, nuk është një situatë që ndërgjegjja globale mund ta pranojë”.
“Vendimet mund të mbeten ndërmjet dy buzëve të një vendi. Ndërsa më shumë se 2 mijë njerëz të pafajshëm u masakruan në Palestinë brenda vetëm pak muajsh, OKB-ja nuk mundi të prodhonte zgjidhjen e pritur. Ndërsa në Siri më shumë se 200 mijë njerëz u masakruan për 4 vjet dhe rreth 9 milionë njerëz u shpërngulën, OKB-ja përsëri nuk ofroi zgjidhje efektive”, tha Erdogan.
Ai tha në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të 71-të të OKB-së në vitin 2016 se dhënia e mundësisë popullit palestinez për të jetuar në një Palestinë të lirë, e cila do të jetë burim paqeje për çdo palestinez me kryeqytet Kudsin Lindor në bazë të zgjidhjes me dy shtete, është një borxh i komunitetit ndërkombëtar ndaj fëmijëve palestinezë.
– “Ftoj komunitetin ndërkombëtar të mbështesë shtetin e Palestinës”
Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të 72-të të OKB-së në vitin 2017, presidenti Erdogan theksoi se vazhdimi i procesit të paqes është i mundur vetëm nëse Izraeli i jep fund menjëherë aktiviteteve të tij të paligjshme të vendbanimeve dhe ndërmerr hapa drejt zgjidhjes me dy shtete. “Në këtë kuadër, e ftoj komunitetin ndërkombëtar të mbështesë vëllezërit tanë palestinezë në Kudsin Lindor, Bregun Perëndimor dhe Gazë në luftën e tyre për një shtet të Palestinës të pavarur dhe me integritet gjeografik”, theksoi Erdogan.
Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të 73-të të OKB-së në vitin 2018, duke vënë në dukje se masakrat e kryera në të kaluarën në Bosnjë, Ruandë, Somali, dhe së fundmi në Mianmar e tani në Palestinë, janë kryer të gjitha para syve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Erdogan tha “Përpjekjet e atyre që heshtin për mizorinë ndaj palestinezëve si dhe reduktimin e ndihmave ndaj tyre, vetëm sa rrisin guximin e keqbërësve. Edhe nëse e gjithë bota i kthen shpinën, si Turqi ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë palestinezëve të shtypur dhe të mbrojmë statusin historik dhe ligjor të Kuds-it, kibles tonë të parë”.
Në Asamblenë e Përgjithshme të 74-të të OKB-së në vitin 2019, Erdogan theksoi se një nga vendet ku padrejtësia në botë përjetohet më shumë janë territoret palestineze nën pushtimin izraelit.
Duke treguar hartat në lidhje me rajonin, Erdogan tha: “Viti 1947, pothuajse nuk kishte Izrael këtu, e gjitha ishte Palestinë. Viti 1947 kishte një plan ndarjeje dhe Palestina po zvogëlohej, Izraeli po rritej. Vij në vitin 1967, së bashku me vitin 1949 Izraeli rritet, Palestina zvogëlohet. Vij në ditët e sotme, situata aktuale është se tani pothuajse nuk ka më Palestinë, pothuajse e gjitha është e Izraelit. A po ngopet Izraeli, jo, nuk po ngopet. Izraeli tani është në përpjekje për të marrë pjesën e mbetur. Epo, po gjithë këto vendime që Këshilli i Sigurimit i OKB-së, OKB-ja i ka marrë me Izraelin, a po zbatohen këto vendime, jo, nuk po zbatohen. Atëherë çfarë do të thotë OKB-ja? Atëherë, nën këtë çati, nëse ne nuk jemi efektivë me vendimet që marrim, ku do të përqendrohet drejtësia? Këtu është problemi ynë”.
Erdogan deklaroi se qëndrimi i Turqisë për çështjen e Kudsit është i qartë. “Zgjidhja është krijimi sa më parë i një shteti të pavarur palestinez me tokë homogjene dhe me kryeqytet Kudsin Lindor, bazuar në kufijtë e vitit 1967. Çdo plan tjetër paqeje përveç kësaj nuk ka shans të jetë i drejtë, i pranueshëm dhe i zbatueshëm. Po pyes nga foltorja e OKB-së: Ku janë kufijtë e shtetit të Izraelit? A janë kufijtë e vitit 1948, kufijtë e vitit 1967, apo janë disa kufij të tjerë? Nëse Lartësitë e Golanit dhe vendbanimet në Bregun Perëndimor nuk janë brenda kufijve të këtij shteti, ashtu si territoret e tjera palestineze të okupuara, si ka mundësi që ato të grabiten para syve të botës?”, ka thënë Erdogan.
Në Asamblenë e Përgjithshme të 75-të të OKB-së në vitin 2020, në të cilën mori pjesë me video-konferencë për shkak të pandemisë së koronavirusit, Erdogan tha se rendi i pushtimit dhe mizorisë në Palestinë, që është plagë e hapur e njerëzimit, vazhdon të lëndojë ndërgjegjen: “Si Turqi, ne nuk do të mbështesim asnjë plan që populli palestinez nuk e pranon. Fakti që disa vende të rajonit janë bërë palë në këtë lojë nuk ka ndonjë kuptim tjetër veçse shërben për përpjekjet e Izraelit për të gërryer parametrat thelbësorë ndërkombëtarë. Vendet që shprehin synimin për të hapur Ambasadë në Kuds në kundërshtim me vendimet e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare, me këtë qëndrim shërbejnë vetëm që konflikti të bëhet edhe më i ndërlikuar”, tha presidenti turk.
– Ambasadori izraelit braktisi sallën
Kritikat e presidentit Erdogan ndaj Izraelit në fjalimin e tij bënë që ambasadori i Izraelit të braktiste sallën. Përfaqësuesi i përhershëm i Izraelit në OKB, Gilad Erdan u largua nga salla ndërsa presidenti Erdogan po fliste për “politikat e presionit, dhunës dhe frikësimit” të Izraelit ndaj Palestinës.
Në Asamblenë e Përgjithshme të 76-të të OKB-së në vitin 2021, Erdogan theksoi se nuk është e mundur që Lindja e Mesme të arrijë paqe dhe stabilitet të përhershëm për sa kohë që vazhdon mizoria ndaj popullit palestinez. “Për këtë, duhet t’i jepet fund patjetër dhe menjëherë politikave të pushtimit, aneksimit dhe vendbanimeve të paligjshme. Do të vazhdojmë t’u bëjmë ballë shkeljeve kundër statusit ndërkombëtar të Kudsit të bazuar në vendimin e OKB-së të vitit 1947, privatësisë së Harem-i Sherifit dhe të drejtave të popullit palestinez”, shtoi Erdogan.
Në Asamblenë e Përgjithshme të 77-të të OKB-së në vitin 2022, presidenti Erdogan theksoi mbështetjen e fortë për vizionin e zgjidhjes me dy shtete në konfliktin izraelito-palestinez, të cilin e konsideruan të domosdoshëm për t’i dhënë fund për arritjen e paqes dhe stabilitetit të përhershëm në rajonin e Lindjes së Mesme. “Është e domosdoshme të respektohet identiteti historik dhe kulturor i Kudsit dhe shenjtëria e Harem-i Sherifit, të ndalohen aktivitetet e paligjshme të vendbanimeve në territoret e okupuara dhe të sigurohet jeta dhe prona e palestinezëve”, tha ai.
Në Asamblenë e Përgjithshme të 78-të të OKB-së në vitin 2023, Erdogan tha: “Do të vazhdojmë të mbështesim popullin dhe shtetin e Palestinës në luftën e tyre për të arritur të drejtat e tyre legjitime mbi bazën e të drejtës ndërkombëtare. Për ta përsëritur edhe një herë, pa u jetësuar një shtet i pavarur dhe me integritet gjeografik i Palestinës bazuar në kufijtë e vitit 1967, është e vështirë për Izraelin të gjejë paqen dhe sigurinë që kërkon. Në këtë kuadër, do të vazhdojmë të ndjekim respektimin e pozitës historike të Kudsit, veçanërisht të Harem-i Sherifit”.
– “Do të vazhdojmë të mbështesim popullin dhe shtetin e Palestinës”
Në Asamblenë e Përgjithshme të 79-të të OKB-së në vitin 2024, Erdogan theksoi se ata do të vazhdojnë të mbështesin popullin dhe shtetin e Palestinës në luftën e tyre për të fituar të drejtat e tyre legjitime mbi bazën e të drejtës ndërkombëtare.
Duke shprehur kënaqësinë e tij për të parë përfaqësuesin e Palestinës mike dhe vëllazërore në vendin që meriton midis vendeve anëtare si rezultat i luftërave të gjata, presidenti Erdogan tha: “Shpresoj që ky hap historik të jetë kthesa e fundit në rrugën e anëtarësimit të Palestinës në OKB. I ftoj shtetet e tjera që nuk e njohin Palestinën, të marrin anën e duhur të historisë në këtë periudhë kritike dhe ta njohin shtetin palestinez sa më parë”.
Ai theksoi se paqja dhe siguria ndërkombëtare janë shumë të rëndësishme për t’u lënë në qejfin e 5 vendeve të privilegjuara. Erdogan tha se shembulli më dramatik i kësaj është masakra që vazhdon në Gaza.
Më tej Erdogan bëri thirrjen: “O organizata të të drejtave të njeriut, a nuk janë njerëz ata në Gaza, ata në Bregun Perëndimor? A nuk kanë të drejtë fëmijët në Palestinë të lexojnë, të jetojnë, të luajnë në rrugë? O organizata ndërkombëtare të mediave, a nuk janë kolegët tuaj gazetarët që Izraeli i ka mashtruar live dhe u ka bastisur zyrat? O Këshill i Sigurimit i OKB-së, çfarë po prisni akoma për të parandaluar gjenocidin në Gaza, për t’i thënë ‘mjaft’ kësaj mizorie, kësaj barbarie? Çfarë po prisni akoma për të ndalur rrjetin e masakrave që rrezikon jetën e qytetarëve të vet së bashku me popullin palestinez dhe që e ka shtyrë të gjithë rajonin drejt luftës për interesa politike? O ju që e mbështetni Izraelin pa kushte, edhe sa kohë do të mbani turpin e shikimit të kësaj masakre dhe të të qenit palë në këtë egërsi?”.
Duke bërë të ditur se i vetmi shkak i agresionit të Izraelit ndaj popullit palestinez është mbështetja e pakushtëzuar që një grusht shtetesh i japin Izraelit, Erdogan tha: “Vendet që kanë ndikim mbi Izraelin po bëhen haptazi palë në këtë masakër me politikën ku i thua ‘lepurit vrapo e zagarit kape’. Ata që në skenë duket se bëjnë përpjekje për armëpushim, në prapaskenë vazhdojnë t’i dërgojnë armë dhe municione Izraelit që të mund të vazhdojë masakrat e tij. Kjo është paqëndrueshmëri dhe pasinqeritet”.
– “Masat shtrënguese duhet të merren në konsideratë”
Duke theksuar se nuk duhet t’i kushtohet më shumë rëndësi lëvizjeve zvarritëse dhe mashtruese të Izraelit, Erdogan tha se në një mjedis ku nuk zbatohet Rezoluta 2735 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duhet të merren në konsideratë masat shtrënguese kundër Izraelit.
“Turqia është vendi që dërgon më shumë ndihma në Gazë. Në të njëjtën kohë, ne treguam ndjeshmërinë tonë për këtë çështje duke ndalur transaksionet tregtare me Izraelin. Ne jemi gjithashtu pranë popullit dhe qeverisë së Libanit, sulmet e të cilit Izraeli i ka shtuar ditët e fundit”, tha ai.
Gjithashtu, Erdogan theksoi se ata mbështesin padinë e ngritur nga Republika e Afrikës së Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për të siguruar që krimet e kryera nga Izraeli të mos mbeten pa ndëshkim.
Ai shtoi se do të ndërmarrin çdo hap të nevojshëm që drejtësia të triumfojë në këtë padi në të cilën Turqia ka bërë kërkesë për ndërhyrje. “Ne po bëjmë dhe do të bëjmë çdo lloj lufte ligjore në mënyrë që gjaku i vajzës sonë Aysenur Ezgi Eygi, e cila u qëllua në kokë nga ushtarët izraelitë gjatë një proteste paqësore në Nablus, të mos mbetet në tokë”, tha Erdogan.
– “Izraeli, megjithatë, nuk mundi ta fshehë gjenocidin”
Presidenti Erdogan e nisi fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të 80-të të OKB-së vitin e kaluar duke shprehur keqardhjen e tij që presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas, nuk mund të ishte i pranishëm në asamble në një kohë kur Palestina po njihej nga një numër në rritje vendesh.
Duke deklaruar se ata janë në foltore për të interpretuar ndjenjat e popullit palestinez, zëri i të cilit u kërkua të ulet së bashku me atë të qytetarëve turq, Erdogan tha: “Falënderoj të gjitha vendet që kanë shpallur se do të njohin shtetin e Palestinës dhe u bëj thirrje shteteve që ende nuk e kanë marrë këtë vendim të veprojnë sa më parë”.
Pasi rikujtoi se në atë periudhë Izraeli vrau me dashje 250 gazetarë që punonin në shtypin kombëtar dhe ndërkombëtar në Gaza dhe ndaloi të gjitha hyrjet në Gaza, Erdogan tha: “Megjithatë, Izraeli nuk mundi ta fshihte gjenocidin. Mbështes me gjithë zemër sekretarin e përgjithshëm z.Guterres, i cili tërheq vëmendjen në çdo rast ndaj gjenocidit që vazhdon në territoret palestineze, dhe e përgëzoj edhe një herë për guximin e tij. Megjithatë, Kombet e Bashkuara mjerisht nuk kanë mundur të mbrojnë as punonjësit e tyre në Gaza. 500 njerëz që nxituan për të ndihmuar njerëzit në Gazë janë vrarë. 326 prej tyre janë personel i OKB-së”.
Duke vënë në dukje se në Gaza nuk po vriten vetëm njerëz, por po shkatërrohen me vetëdije edhe tokat bujqësore, kopshtet dhe ndërtesat historike, Erdogan tregoi nga foltorja fotografitë që ekspozonin dramën njerëzore të përjetuar në Gaza.
“Po e shpreh haptazi nga kjo foltore. Po e shpreh nga kjo foltore, në Gaza nuk ka luftë. Në Gazë nuk mund të flitet për dy palë; nga njëra anë është një ushtri e rregullt me armët më moderne dhe më vrasëse në duar, dhe nga ana tjetër janë civilë të pafajshëm, fëmijë të pafajshëm. Kjo nuk është luftë kundër terrorizmit. Kjo është politikë pushtimi, zhvendosjeje, dëbimi, gjenocidi, ose më saktë masakre kolektive, e cila po kryhet duke u marrë si shkak ngjarja e 7 Tetorit”, tha Erdogan.
– “Kërcënon edhe paqen rajonale”
Presidenti Erdogan vuri në dukje se sot, ndërsa Gaza po shkatërrohet me pretekstin e Hamasit, njëkohësisht po pushtohet hap pas hapi edhe Bregu Perëndimor, ku Hamasi nuk është në pushtim dhe se civilë të pafajshëm po vriten me ekzekutime.
“Izraeli nuk kufizohet vetëm në Gaza dhe Bregun Perëndimor, por kërcënon edhe paqen rajonale duke ndërmarrë sulme ndaj Sirisë, Iranit, Jemenit dhe Libanit”, tha Erdogan duke kujtuar se Izraeli së fundmi ndërmori një sulm ndaj delegacionit që po mbante mbledhje për negociata armëpushimi në Katar, vendin ndërmjetësues.
Ai deklaroi se jo vetëm fqinjët, por të gjitha vendet në Lindjen e Mesme janë subjekt i kërcënimeve të pamatura të qeverisë izraelite.
“Në pikën ku kemi mbërritur, ne të gjithë duhet të shohim këtë realitet; administrata izraelite, e cila vepron me obsesionin e tokave të premtuara, po dëmton paqen rajonale dhe fitimet e përbashkëta të njerëzimit me një politikë ekspansioniste. Kudsi i Shenjtë, vendi i shenjtë i tri feve qiellore dhe trashëgimia e përbashkët e njerëzimit është objektiv i drejtpërdrejtë i këtij radikalizmi. Kjo gjendje çmendurie, e cila shqetëson edhe hebrejtë me ndërgjegje, nuk miratohet prej tyre dhe madje ushqen antisemitizmin në mbarë botën, nuk mund të vazhdojë më gjatë. Armëpushimi në Gazë duhet të arrihet sa më parë, sulmet duhet të ndalen dhe duhet të lejohet patjetër hyrja e papenguar e ndihmave humanitare. Duhet të sigurohet që kuadri i gjenocidit të japë llogari para ligjit ndërkombëtar. Shpresoj se kjo do të realizohet patjetër”, tha Erdogan.
– “Gaza, ku fëmijët rrisin fëmijë”
Pasi tha se kushdo që nuk e ngre zërin apo nuk mban qëndrim kundër barbarisë që po ndodh në Gaza, është bashkëpërgjegjës për këtë egërsi, Erdogan u shpreh “Po u bëj thirrje të gjithë liderëve botërorë, dita është sot. Është dita për të qëndruar fort përkrah palestinezëve të shtypur në emër të njerëzimit”.
“Ndërsa popujt tuaj reagojnë ndaj barbarisë në Gazë, ejani tregoni edhe ju guximin tuaj hap pas hapi. Përmbushni detyrën tuaj njerëzore ndaj Gazës, ku fëmijët rrisin fëmijë. Me këtë rast, u dërgoj përshëndetjet e mia më të përzemërta të gjithë mbrojtësve të Palestinës, akademikë, artistë, politikanë, aktivistë dhe studentë, të cilët mbushën sheshet në vende të ndryshme të botës për t’u kujdesur për të shtypurit e Gazës dhe lundruan në det për të mbështetur të pafajshmit e Gazës”, tha presidenti turk.
Erdogan, i cili do t’i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 22 shtator të këtij viti, do të ketë sërish si çështje kryesore të fjalimit të tij gjenocidin që Izraeli po zbaton në Gaza dhe hapat që do të ndërmerren në arenën ndërkombëtare kundër Izraelit.
Presidenti Erdogan ashtu si në vitet e mëparshme kur ka marrë pjesë në takimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, edhe këtë vit do të tërheqë vëmendjen e botës ndaj gjenocidit në Gaza.

