Ministri i Jashtëm turk thirrje SHBA-së ta përdorë ndikimin te Izraeli për t’u dhënë fund veprimeve destabilizuese
Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan të hënën tha se Turqia pret që SHBA-ja të përdorë ndikimin e saj për t’i bërë thirrje Izraelit t’u japë fund politikave që minojnë paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global, raporton Anadolu.
Duke folur në një panel me titull “Marrëdhëniet Turqi-SHBA në prag të njëqindvjetorit”, organizuar nga Drejtoria e Komunikimeve e Turqisë në Nju Jork, Fidan tha se Turqia dhe SHBA-ja ndajnë interesin për shtete sovrane dhe të qëndrueshme që janë në gjendje të garantojnë sigurinë dhe mirëqenien në rajon, veçanërisht në Siri dhe Irak.
Fidan bëri gjithashtu thirrje për rritjen e përgjegjësisë rajonale në çështjet e sigurisë, duke thënë se zgjidhjet lokale kanë më shumë gjasa të jenë të qëndrueshme.
Fidan tha se tri sfidat kryesore janë lufta në Iran, rreziku i përhapjes së konfliktit në Jemen në vendet fqinje dhe politikat destabilizuese të Izraelit në gjithë rajonin.
“Këto kërcënime përforcojnë njëra-tjetrën dhe pengojnë diplomacinë. Përballimi i tyre kërkon përgjegjësi efektive rajonale dhe bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në”, tha ai.
“Në veçanti, ne presim që SHBA-ja të përdorë më tej ndikimin e saj për t’i bërë thirrje Izraelit t’u japë fund politikave të tij që minojnë paqen dhe stabilitetin si në nivel rajonal, ashtu edhe global”, shtoi ai.
Fidan tha se aleanca e Mekës mes Turqisë, Pakistanit dhe Arabisë Saudite “siguron përgjegjësi rajonale dhe bazë institucionale, duke forcuar bashkëpunimin dhe mbështetur paqen dhe sigurinë rajonale”.
Fidan e cilësoi Gazën si një provë qendrore të përpjekjeve për vendosjen e sigurisë rajonale dhe tha se një zgjidhje e qëndrueshme për çështjen palestineze mbetet thelbësore.
“Një zgjidhje e qëndrueshme e çështjes palestineze mbetet thelbësore për stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe më gjerë”, tha ai, duke shtuar se Turqia mbështet përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund krizës në Gaza.
– Marrëdhëniet turko-amerikane kanë dëshmuar “vlerën e tyre të qëndrueshme të testuar nga koha”
Fidan tha se marrëdhëniet dypalëshe mes Turqisë dhe SHBA-së kanë “vlerë të qëndrueshme të testuar nga koha” dhe se ato kanë evoluuar nga lidhje mes dy vendeve gjeografikisht të largëta në një partneritet dhe aleancë me ndikim përtej kufijve të tyre.
Ai vuri në dukje se presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe presidenti amerikan Trump kanë “rol qendror” në dinamikën aktuale të marrëdhënieve dypalëshe, duke shtuar se detyra është që kjo të shndërrohet në përfitime konkrete dhe të institucionalizohet bashkëpunimi.
“Detyra jonë është ta shndërrojmë këtë dinamikë në përfitime konkrete dhe ta institucionalizojmë bashkëpunimin tonë jo vetëm për vendet tona, por edhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë”, tha ai.
“Ndërsa hyjmë në shekullin e dytë të marrëdhënieve tona diplomatike, ne jemi të vendosur të realizojmë potencialin e plotë të bashkëpunimit tonë dhe të zgjidhim çështjet që e pengojnë atë”, shtoi Fidan.

