Ushtria izraelite mbyll rrugën e fundit drejt një fshati në Bregun Perëndimor, izolon 47 familje palestineze
Ushtria izraelite ka mbyllur rrugën e fundit të hyrjes drejt Khirbet Ras al-Ahmar, një fshat i vogël palestinez në juglindje të Tubasit, në veri të Bregut Perëndimor, duke izoluar plotësisht 47 familje palestineze për të pestën ditë radhazi.
Mbyllja erdhi pas “më shumë se dy muajsh të mbylljes së të gjitha rrugëve të paasfaltuara që çojnë drejt fshatit”, tha për Anadolu banori Thaer Basharat.
Basharat tha se rrethimi ishte shtrënguar prej rreth tre vitesh, por situata arriti në një fazë kritike pesë ditë më parë, kur ushtria izraelite hapi një kanal përgjatë rrugës së fundit të mbetur drejt fshatit, e cila mund të kalohej vetëm nga bagëtitë dhe traktorët bujqësorë.
Ai tha se fshati është shndërruar në një “kafaz” të rrethuar nga kanale, mure dhe zona ushtarake.
“47 familjet në fshat varen nga blegtoria dhe tani nuk janë në gjendje të sigurojnë nevojat e tyre bazë apo ushqimin për delet”, shtoi ai.
Basharat tha se rreth 360.000 dynymë (360 milionë metra katror) shërbenin si kullota për fermerët e fshatit, por 90 për qind e kësaj sipërfaqeje ose është sekuestruar ose është shpallur zonë e ndaluar, duke i lënë fermerët përballë kushteve të vështira.
“Presioni izraelit synon zhvendosjen me forcë të të gjithë komunitetit nga fshati”, tha ai.
Sulmet e ushtrisë izraelite dhe kolonëve ndaj palestinezëve dhe pronave të tyre në Bregun Perëndimor janë intensifikuar që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor të vitit 2023.
Izraeli e mban të pushtuar Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, që nga lufta e Lindjes së Mesme e vitit 1967.

