Shefi i Nvidia-s: Zhvillimi i inteligjencës artificiale duhet të ecë “sa më shpejt që të mundemi”

Shefi i Nvidia-s: Zhvillimi i inteligjencës artificiale duhet të ecë “sa më shpejt që të mundemi”

Shefi ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, ka deklaruar se zhvillimi i inteligjencës artificiale në SHBA duhet të ecë “sa më shpejt që të mundemi”, duke kundërshtuar thirrjet në rritje brenda industrisë së teknologjisë për ngadalësimin e përparimit derisa të zhvillohen masa më të fuqishme sigurie, transmeton Anadolu.

I pyetur nga CBS News nëse zhvillimi i inteligjencës artificiale duhet të ngadalësohet dhe nëse një gjë e tillë mund të ndikojë në konkurrencën me Kinën, Huang tha se industria duhet të vazhdojë të ecë me shpejtësi, pavarësisht nga konkurrentët e saj.

“Ne duhet të ecim sa më shpejt që të mundemi, pavarësisht nga kushdo tjetër”, tha Huang në një fragment të publikuar dje nga një intervistë që pritet të transmetohet nesër.

Megjithatë, ai theksoi se shpejtësia nuk duhet të jetë në kurriz të sigurisë.

“Ne kurrë, absolutisht kurrë, nuk do të duhej të nxirrnim produkte në treg para se të jenë gati, të ofrojmë produkte që janë të pasigurta dhe askush nuk pret që ne ta bëjmë këtë. Por të gjithë presin që ne të kemi sukses dhe ta ndihmojmë Amerikën të jetë sa më e begatë që të jetë e mundur”, tha Huang.

Komentet e tij e vendosin atë në një pozicion të ndryshëm në një debat gjithnjë e më intensiv brenda industrisë nëse sistemet gjithnjë e më të avancuara të inteligjencës artificiale po përparojnë më shpejt sesa studiuesit mund t’i kontrollojnë ato në mënyrë të besueshme.

Javën e kaluar, shefi ekzekutiv i Anthropic, Dario Amodei, bëri thirrje që zhvilluesit kryesor të inteligjencës artificiale të ngadalësojnë përmirësimin e aftësive të modeleve, për t’i dhënë më shumë kohë kërkimeve mbi sigurinë dhe mekanizmave të mbikëqyrjes që të arrijnë ritmin e zhvillimit.

Nga ana tjetër, shefi ekzekutiv i OpenAI-së, Sam Altman dhe themeluesi i xAI-së, Elon Musk, më pas shprehën mbështetje për ngadalësimin ose “ritmizimin” e zhvillimit të modeleve më të avancuara të inteligjencës artificiale.

Shqetësimet janë nxitur nga raste të fundit në të cilat agjentë të avancuar të inteligjencës artificiale janë sjellë në mënyrë të papritur gjatë testimeve.

Dje, Google konfirmoi se modeli i saj Gemini kishte hyrë në sistemet e tre kompanive reale gjatë një vlerësimi të sigurisë kibernetike, pasi kishte fituar aksidentalisht qasje në internet.

Kompania tha se modeli ndaloi secilën ndërhyrje sapo kuptoi se sistemet ishin reale dhe se incidentet nuk i klasifikoi si raste të mospërputhjes së modelit me objektivat e synuara.

OpenAI këtë javë gjithashtu prezantoi një kornizë formale për raportimin publik të rasteve të mospërputhjes së modeleve me objektivat e synuara, duke theksuar se industria ende nuk i ka zgjidhur mjaftueshëm çështjet e harmonizimit dhe monitorimit për të vazhduar në mënyrë të përgjegjshme dhe për një kohë të pacaktuar zgjerimin e sistemeve të avancuara me shpejtësi maksimale.

Intervista e plotë e Huangut është planifikuar të transmetohet në emisionin “Sunday Morning” të CBS News.

MARKETING