Gjermania merr aeroplanin e parë F-35 nga SHBA-ja, ndërsa vendet anëtare të NATO-s rrisin shpenzimet ushtarake

Gjermania merr aeroplanin e parë F-35 nga SHBA-ja, ndërsa vendet anëtare të NATO-s rrisin shpenzimet ushtarake

Gjermania ka marrë aeroplanin e saj të parë luftarak F-35A Lightning II, ndërsa vendi përshpejton një proces të gjerë të forcimit ushtarak dhe rrit shpenzimet e mbrojtjes, në kuadër të një përpjekjeje më të gjerë të anëtarëve evropianë të NATO-s për të përforcuar forcat e tyre të armatosura.

Dorëzimi i kryer të premten është pjesë e përpjekjeve të Gjermanisë për të përmbushur detyrimet e NATO-s lidhur me ndarjen e kapaciteteve bërthamore dhe për të modernizuar ushtrinë e saj pas dekadash me shpenzime relativisht të ulëta për mbrojtjen, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Siç theksohet më tej, kompania “Lockheed Martin” ia prezantoi zyrtarisht aeroplanin qeverisë gjermane gjatë një ceremonie në fabrikën e saj të prodhimit në Fort Worth, Teksas, ku ishte i pranishëm edhe ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.

“Ky është fillimi i një epoke të re për Forcën Ajrore Gjermane: aeroplani i ri luftarak F-35A është aeroplani luftarak më i avancuar në botë”, tha Pistorius në një deklaratë.

Sipas tij, “ai dallohet për aftësitë e tij ‘stealth’ (të padukshmërisë ndaj radarëve), integrimin e ngushtë me platforma të tjera dhe teknologjinë jashtëzakonisht të fuqishme të sensorëve”.

Gjermania porositi 35 aeroplanë F-35A në vitin 2022, vitin kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

Këta aeroplanë synojnë të zëvendësojnë flotën e vjetëruar gjermane të avionëve “Tornado”.

Administrata e Donald Trump prej kohësh ka ushtruar presion mbi Evropën që të shpenzojë më shumë për mbrojtjen, duke i mundësuar kështu Uashingtonit të përqendrohet te sfida të tjera, siç është kundërvënia ndaj Kinës.

Si pasojë, vendet evropiane, përfshirë Gjermaninë, po rrisin buxhetet ushtarake, duke iu përgjigjur kërkesës së Trumpit për të dedikuar pesë për qind të PBB-së për shpenzime që lidhen me sigurinë deri në vitin 2035.

 

MARKETING