Nigeri, 37 persona të dyshuar si minatorë të paligjshëm vdesin në paraburgim
Autoritetet e Nigerisë kanë nisur hetime pasi 37 persona të dyshuar për miniera të paligjshme vdiqën në paraburgim të Korpusit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Civile të Nigerisë (NSCDC), në shtetin qendror Niger, transmeton Anadolu.
Viktimat ishin mes personave të dyshuar për miniera të paligjshme, të arrestuar gjatë operacioneve të zbatimit të ligjit në zonën M.I. Wushishi/Lukoto të shtetit Niger më 15 dhe 16 shtator, sipas NSCDC-së.
Guvernatori i shtetit Niger, Mohammed Umaru Bago konfirmoi se 37 të ndaluar vdiqën në paraburgim të NSCDC-së në kryeqytetin e shtetit Minna dhe shpalli tre ditë zie. NSCDC-ja në një deklaratë sot tha se disa prej të ndaluarve u gjetën të vdekur të enjten, pas asaj që komanda e saj në shtet e përshkroi si një shpërthim të dyshuar të një sëmundjeje.
Megjithatë, selia kombëtare e korpusit tha se shkaku i vdekjeve nuk është përcaktuar dhe paralajmëroi kundër atribuimit të vdekjeve ndaj ndonjë sëmundjeje të caktuar para përfundimit të ekzaminimeve mjekësore dhe laboratorike.
NSCDC-ja ka ngritur ekip hetimor, të drejtuar nga zëvendëskomandanti i përgjithshëm për inteligjencën dhe hetimet, për të shqyrtuar rrethanat që lidhen me vdekjet. Hetimi do të shqyrtojë gjendjen e të dyshuarve në momentin e arrestimit, periudhën e qëndrimit në paraburgim, kushtet e ndalimit dhe kujdesin mjekësor që u është ofruar si dhe rrethana të tjera që lidhen me vdekjet, tha korpusi.
Trupat e viktimave janë dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Minnës për ekzaminime mjekësore dhe autopsi, me qëllim përcaktimin e shkakut të vdekjes. Edhe policia në shtetin Niger ka nisur hetime. Burime të NSCDC-së i thanë Anadolu-s se mbipopullimi dhe ventilimi i pamjaftueshëm brenda qendrës së ndalimit mund të kenë qenë faktorë.
Një i mbijetuar, i identifikuar vetëm si Dauda tha se më shumë se 70 të ndaluar mbaheshin në një qeli me ventilim të dobët dhe se personat brenda kishin vështirësi në frymëmarrje. Vdekjet kanë shkaktuar shqetësim publik dhe protesta në Minna ndërsa raportohet për dëmtime të automjeteve dhe pronave të tjera.
Minierat e paligjshme mbeten sfidë e madhe në shtetin Niger, i cili ka rezerva ari dhe mineralesh të tjera. Autoritetet kanë intensifikuar zbatimin e masave kundër minierave të palicencuara, të cilat zyrtarët dhe analistët i kanë lidhur gjithashtu me rrjete financimi të lidhura me grupe të armatosura kriminale.

