Sondazh: Gati gjysma e gjermanëve presin që kancelari Merz të largohet deri në fund të vitit

Sondazh: Gati gjysma e gjermanëve presin që kancelari Merz të largohet deri në fund të vitit

Një sondazh i “YouGov” tregon se gati gjysma e votuesve gjermanë presin që kancelari Friedrich Merz të largohet nga detyra deri në dhjetor, duke rritur kështu pritshmëritë përpara zgjedhjeve shtetërore të së dielës, transmeton Anadolu.

I publikuar të enjten vonë, sondazhi përfaqësues zbuloi se 48 për qind e të anketuarve thanë se nuk presin që Merz të mbetet kancelar deri në fund të vitit. Rreth 31 për qind thanë se presnin që ai të qëndrojë në detyrë ndërsa 21 për qind ishin të pavendosur.

Sondazhi u zhvillua përpara zgjedhjeve në shtetin lindor Mecklenburg-Vorpommern dhe qytet-shtetin e Berlinit të dielën, ku sondazhet tregojnë se CDU e Merzit po shkon drejt humbjeve të mëdha.

Konservatorët kanë marrë tashmë një goditje të fortë këtë muaj në Saksoni-Anhalt, ku AfD e krahut të djathtë përfundoi e para me 43.8 për qind, përpara CDU-së me 17.2 për qind. Rezultati ishte një humbje e madhe për partinë, e cila kishte qeverisur shtetin për dekada me partnerë koalicioni që ndryshonin.

Në sondazhin e fundit të ZDF-së për Berlinin, CDU është në rreth 20 për qind, nga 28.2 për qind në zgjedhjet e vitit 2023 dhe rrezikon të humbasë pushtetin në kryeqytet. Partia Socialiste e Majtë kryeson me 22 për qind, duke hapur rrugën për një qeveri trepartiake pa CDU-në.

Në Mecklenburg-Vorpommern, CDU po shkon drejt një tjetër pengese, duke marrë 6 për qind në sondazhet e fundit, afër pragut prej 5 për qind të nevojshëm për të hyrë në parlamentin e shtetit. Sondazhi i fundit i ZDF-së e vendosi SPD-në e qendrës së majtë në 37 për qind në shtetin lindor dhe AfD-në anti-imigracion në 36 për qind.

Çështjet lokale ende formësojnë garat rajonale, por shumë vëzhgues thonë se rënia e partisë në tre gara shtetërore këtë muaj është përkeqësuar nga performanca e dobët e Merz në detyrë, duke rritur presionin brenda partisë së tij që ai të largohet.

Udhëheqësit e lartë të CDU-së planifikojnë takim të brendshëm të hënën. Ligjvënësit nga CDU dhe partia e saj simotër bavareze, CSU, do të takohen dy ditë më vonë.

Një ndryshim i mundshëm i lidershipit në CDU nuk do të shpërndante automatikisht parlamentin dhe as nuk do të shkaktonte zgjedhje kombëtare. Nëse presioni brenda partisë e detyron Merzin të largohet, Bundestagu mund të zgjedh kancelar të ri pa votim mbarëkombëtar.

MARKETING