Kurti takon kreun e PDK-së pas vendimit të Gjykatës Speciale për ish-udhëheqësit e UÇK-së
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, një ditë pas dënimit me 81 vjet burgim nga Gjykata Speciale të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti dhe Hamza kanë diskutuar për rrugët dhe mënyrat që duhet ndjekur për ta korrigjuar vendimin e djeshëm, derisa të dy janë zotuar për komunikim të rregullt.
Duke e vlerësuar aktgjykimin të padrejtë, të rëndë dhe me pasoja të gjera, kryeministri Kurti theksoi se ai duhet ndryshuar pozitivisht në shkallën e apelit.
“Kurti e Hamza ndanë mendimet dhe përshtypjet e tyre, si dhe diskutuan se cilat do të ishin rrugët e mënyrat që duhet ndjekur përpara për të korrigjuar vendimin e djeshëm. Kryeministri Kurti dhe kryetari Hamza u zotuan për komunikim të rregullt dhe të drejtpërdrejtë për çështjet e interesit publik, shtetëror dhe kombëtar”, thuhet në njoftim.
Zyra e Kryeministrit njofton në fund se palët konsideruan që rezistenca e popullit shqiptar dhe lufta çlirimtare, përveçse të drejta, ishin të domosdoshme në rrugën për liri dhe pavarësi.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përgjigje organizative e shqiptarëve ndaj një regjimi shtetëror shtypës sikurse ai i Jugosllavisë së Serbisë së Millosheviqit, që i ka të dokumentuara krimet: nga represioni sistematik deri te aparteidi, nga mohimi i të drejtave themelore njerëzore e qytetare deri te spastrimi etnik dhe gjenocidi”, thuhet në fund të njoftimit.
Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u shpallën fajtor dhe u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërkaq Kadri Veseli me 18 vjet burgim dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim nga Gjykata Speciale.
Ish-udhëheqësit e UÇK-së u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

