Shefi i NATO-s paralajmëron për mjedisin “më të rrezikshëm dhe kompleks” të sigurisë në një gjeneratë
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka paralajmëruar se aleanca përballet me mjedisin “më të rrezikshëm dhe kompleks” të sigurisë në një gjeneratë, duke përsëritur thirrjen e tij për më shumë shpenzime për mbrojtjen, transmeton Anadolu.
“Është e qartë se nëse nuk investojmë më shumë në sigurinë tonë, mbrojtja jonë kolektive nuk do të jetë e besueshme”, tha Rutte gjatë ligjëratës vjetore në Fondacionin Ditchley në Oxfordshire.
Ai tha se NATO-ja përballet me mjedisin “më të rrezikshëm dhe kompleks të sigurisë në një gjeneratë” dhe se nevojitet “më shumë Evropë” në aleancë.
“Nuk mund ta mbrojmë mënyrën tonë të jetesës nëse nuk investojmë në mbrojtjen tonë”, shtoi ai.
Duke theksuar se aleatët e SHBA-së kanë “shpatulla të gjera” dhe janë të gatshëm të marrin më shumë përgjegjësi, Rutte rikujtoi se vetëm në vitin 2025 aleatët evropianë dhe Kanadaja shpenzuan gati 20 për qind më shumë.
“NATO-ja është dhe do të jetë gjithmonë një aleancë transatlantike. Ky është parimi mbi të cilin mbështetet NATO 3.0 dhe ribalancimi i sigurisë sonë”, tha ai.
Shefi i NATO-s argumentoi se një Evropë e sigurt, një Atlantik i sigurt dhe një Arktik i sigurt janë “prioritete për NATO-n dhe gjithashtu thelbësore” për sigurinë afatgjatë të SHBA-së.

