Vendos gjykata, Erion Veliaj mbetet në qeli
Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Erion Veliajt për ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, duke lënë në fuqi masën e sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i mbledhur këtë të martë, në Dhomë Këshillimi, shqyrtoi kërkesën e Erion Veliajt kundër vendimeve të mëparshme të gjykatave të posaçme.
Veliaj kërkonte shfuqizimin e vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe një vendimi të mëparshëm të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, lidhur me masën e sigurisë ndaj tij, raporton Top Channel.
Pas shqyrtimit të çështjes, Kolegji Penal vendosi lënien në fuqi të vendimit nr. 13, datë 13 mars 2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Vendimi është marrë bazuar në nenin 441, pika 1, shkronja “e” të Kodit të Procedurës Penale.
Me këtë vendim, Gjykata e Lartë nuk ka pranuar kërkesën e Veliajt dhe ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm, duke bërë që kryebashkiaku i Tiranës të vijojë të qëndrojë në burg.

