Zëdhënësi i Kremlinit: Moska pret raund të ri të bisedimeve trepalëshe për Ukrainën në të ardhmen e afërt
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se Moska pret që një raund i ri i bisedimeve trepalëshe për Ukrainën të zhvillohet në të ardhmen e afërt, transmeton Anadolu.
Duke folur në një intervistë për të përditshmen ruse Izvestia, Peskov tha se mundësia e mbajtjes së një takimi të tillë është diskutuar gjatë kontakteve të fundit.
“Sa i përket takimit trepalësh, kjo është diskutuar. Shpresojmë që ai të zhvillohet në të ardhmen e afërt. Në këtë drejtim, jemi në të njëjtën linjë me të dërguarin amerikan, zotin Jared Kushner”, tha ai.
Zyrtari rus shtoi se aktualisht nuk ka propozime të reja në tryezë, por tha se qëllimi i takimit trepalësh do të jetë kërkimi i opsioneve të reja.
“Sa i përket asaj nëse ka ndonjë propozim të ri, për momentin nuk ka. Por pikërisht për këtë do të shërbejë takimi trepalësh, për të kërkuar disa opsione të reja”, theksoi ai.
Duke komentuar një deklaratë të presidentit rus, Vladimir Putin, i cili më herët kishte thënë se dislokimi i trupave evropiane në Ukrainën perëndimore do të nënkuptonte luftë me Rusinë, Peskov tha se bëhej fjalë për një paralajmërim të përgjithshëm për pasojat.
“Ai foli në përgjithësi për gabimet që po bëhen dhe që mund të bëhen, gjë që po i shtyn evropianët të mendojnë për ndonjë alternativë politike”, tha ai.
Duke komentuar thirrjet e Polonisë për intensifikimin e stërvitjeve të NATO-s pranë enklavës ruse të Kaliningradit, Peskov tha se Rusia po merr masa për të garantuar sigurinë e saj.
“Është e qartë se NATO po grumbullohet dhe po zhvillon aktivitete ushtarake atje. Prandaj, ne po marrim të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e këtij rajoni të rëndësishëm rus”, tha ai.
Ministri polak i Punëve të Jashtme, Radek Sikorskiy, kishte deklaruar më herët se NATO duhet të shtojë stërvitjet e saj pranë kufirit me rajonin e Kaliningradit.
Në një deklaratë tjetër, këshilltari i Kremlinit për politikën e jashtme, Yury Ushakov, tha se Princi i Kurorës i Abu Dhabit, Khaled bin Mohamed bin Zayed Al Nahyan, i konfirmoi Putinit se Emiratet e Bashkuara Arabe janë të gatshme të ofrojnë një vend për zhvillimin e bisedimeve për Ukrainën.
“Princi i Kurorës i Abu Dhabit konfirmoi se pala emirate është e gatshme të ofrojë territorin e saj për bisedimet, siç ka bërë edhe më parë”, tha ai.
Komentet erdhën pasi Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, vizituan Moskën dhe Kievin javën e kaluar në kuadër të përpjekjeve për të ringjallur negociatat për Ukrainën.
Witkoff dhe Kushner u takuan me Putinin në Moskë më 5 shtator, ndërsa Kremlini i përshkroi bisedimet si “përmbajtësore, konstruktive dhe të dobishme”.
Të nesërmen, ata udhëtuan drejt Kievit, ku zhvilluan bisedime me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
Të dërguarit amerikanë thanë se diskutimet ishin “përmbajtësore” dhe shprehën shpresën për një vrull të ri në procesin e paqes.

