Zgjedhje tejet të ngushta në Suedi, e djathta ekstreme pranë pushtetit
Suedia zhvillon të dielën zgjedhjet parlamentare në një garë tejet të ngushtë mes bllokut të majtë dhe atij të djathtë, ndërsa rezultati mund të përcaktojë nëse Demokratët e Suedisë (SD) të ekstremit të djathtë do të hyjnë për herë të parë në qeveri.
Sondazhi i fundit i Dagens Nyheter/Ipsos tregon vetëm 0.3 pikë përqindjeje diferencë mes dy blloqeve. Sipas projeksioneve, koalicioni i qendrës së majtë i udhëhequr nga Social Demokratët e Magdalena Andersson do të siguronte 175 mandate, kundrejt 174 të bllokut të djathtë të kryeministrit Ulf Kristersson, raporton The Guardian.
Kristersson ka premtuar poste ministrore për Demokratët e Suedisë nëse e djathta rikthehet në pushtet, duke shënuar një hap më tej në bashkëpunimin me partinë e ekstremit të djathtë.
Ekspertët paralajmërojnë se një qeveri me pjesëmarrjen e SD-së mund të ndikojë ndjeshëm në politikat e Suedisë për imigracionin, krimin dhe të drejtat e njeriut. Partia kërkon politika edhe më të ashpra ndaj migracionit dhe masa për kufizimin e qëndrimit të migrantëve në vend.
Rezultati pritet të jetë i ngushtë, ndërsa partitë më të vogla mund të luajnë rol vendimtar në përcaktimin se cili bllok do të jetë në gjendje të formojë qeverinë.

