Irani i bën thirrje BRICS-it të krijojë sekretariat të përhershëm dhe t’u rezistojë sanksioneve të njëanshme
Presidenti Iranian, Masoud Pezeshkian, u ka bërë thirrje anëtarëve të BRICS-it që t’u rezistojnë sanksioneve të njëanshme dhe të krijojnë një sekretariat të përhershëm për të rritur efektivitetin e bllokut, transmeton Anadolu.
“Për të rritur efikasitetin dhe për të përshpejtuar zbatimin e vendimeve të BRICS-it, janë të nevojshme masa të tilla si rezistenca ndaj sanksioneve të njëanshme, shndërrimi i konkurrencës në bashkëpunim dhe krijimi i një sekretariati të përhershëm”, tha ai në fjalimin e tij në samitin e BRICS-it në kryeqytetin indian New Delhi.
Sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve Tasnim, Pezeshkian paraqiti tre fusha kryesore që Irani mbështet brenda bllokut, që përfshijnë forcimin e koordinimit politik bazuar në Kartën e OKB-së dhe respektimin e sovranitetit kombëtar, zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dhe financiare të pavarura nga “instrumentet monopoliste”, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit në shkencë, teknologji, energji dhe siguri ushqimore në dobi të Jugut Global.
Presidenti iranian trajtoi gjithashtu çështjen palestineze, duke e përshkruar realizimin e së drejtës së popullit palestinez për vetëvendosje si “një test serioz për besueshmërinë dhe legjitimitetin e qeverisjes globale”.
“Çdo zgjidhje e drejtë kërkon respektimin e vullnetit të popullit palestinez”, tha ai.
“BRICS-i, si një zë i drejtësisë, duhet të luajë një rol më aktiv në përfundimin e pushtimit dhe garantimin e të drejtave të tyre legjitime”, shtoi ai.

