Liderët e BRICS-it kundërshtojnë zhvendosjen me forcë të palestinezëve nga Gaza

Liderët e BRICS-it kundërshtojnë zhvendosjen me forcë të palestinezëve nga Gaza

Liderët e BRICS-it kanë bërë thirrje për përpjekje më të mëdha për parandalimin dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve mes luftërave në Iran dhe Ukrainë, ndërsa kundërshtuan çdo zhvendosje me forcë të palestinezëve nga Rripi i Gazës, transmeton Anadolu.

Thirrjet u përfshinë në Deklaratën e New Delhit, të miratuar njëzëri në ditën e parë të samitit dyditor të bllokut në kryeqytetin indian.

Duke shprehur “shqetësim të thellë” për vazhdimin e dhunës në Gaza pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të tetorit të vitit 2025, liderët e BRICS-it bënë thirrje për t’i dhënë fund “çdo politike që synon zhvendosjen me forcë të palestinezëve nga Rripi i Gazës”.

Deklarata shprehu gjithashtu “shqetësim për marrëveshjet që mund të cenojnë të drejtat e patjetërsueshme të popullit palestinez dhe të legjitimojnë ose zgjasin pushtimin”.

“Riafirmojmë se një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme e konfliktit izraelito-palestinez mund të arrihet vetëm me mjete paqësore dhe varet nga përmbushja e të drejtave legjitime të popullit palestinez, përfshirë të drejtën për vetëvendosje dhe kthim”, thuhet në deklaratë.

Duke theksuar “kontekstin aktual global të polarizimit dhe mosbesimit”, anëtarët e BRICS-it i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’u përgjigjet sfidave dhe kërcënimeve të ndërlidhura të sigurisë përmes “masave politike dhe diplomatike për të ulur potencialin për konflikt”.

Blloku theksoi gjithashtu “nevojën për t’u angazhuar në përpjekjet për parandalimin e konflikteve, përfshirë trajtimin e shkaqeve të tyre rrënjësore”.

“Inkurajojmë rolin aktiv të organizatave rajonale në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve dhe mbështesim të gjitha përpjekjet që kontribuojnë në zgjidhjen paqësore të krizave”, thuhet në deklaratë.

Liderët e BRICS-it shprehën gjithashtu shqetësim për rreziqet në rritje të një konflikti bërthamor dhe bënë thirrje për çarmatim, kontroll të armëve dhe mospërhapje të armëve bërthamore.

Deklarata shprehu “shqetësim serioz për sulmet e qëllimshme” ndaj infrastrukturës civile dhe objekteve bërthamore paqësore.

“Masat mbrojtëse, siguria dhe mbrojtja bërthamore duhet të respektohen gjithmonë, përfshirë gjatë konflikteve të armatosura, për të mbrojtur njerëzit dhe mjedisin nga dëmet”, thuhet në deklaratë.

MARKETING