Moska dhe Pekini diskutojnë projektin për furnizimin e Kinës me gaz rus
Moska dhe Pekini po diskutojnë një projekt për furnizimin e Kinës me gaz rus, tha zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, transmeton Anadolu.
“Po përgatitemi të vëmë në funksion rrugën e Lindjes së Largët dhe po vazhdojmë dialogun për rrugët e tjera premtuese për furnizimin e Kinës me gaz rus, përfshirë projektin Power of Baikal”, tha ai, raportoi agjencia ruse e lajmeve Tass.
Ai i bëri këto deklarata në një takim ruso-kinez për energjinë, në margjinat e Forumit Ekonomik Lindor në qytetin port rus Vladivostok.
Novak tha se të dyja vendet po zhvillojnë gjithashtu një projekt të përbashkët për nxjerrjen dhe lëngëzimin e gazit në Arktik dhe ndërtimin e një kompleksi në Baltik për përpunimin e gazit që përmban etan.
Ai theksoi se eksportet e gazit përmes gazsjellësit “Power of Siberia” po rriten në mënyrë të qëndrueshme.
Moska të mërkurën e riemërtoi fazën e dytë të “Power of Siberia” si “Power of Baikal”.
Projekti synon të furnizojë Kinën me 50 miliardë metra kub gaz rus në vit përmes Mongolisë.
Novak shtoi se Rusia është gjithashtu e gatshme të diskutojë me Kinën projekte të reja të energjisë bërthamore, trajnimin e specialistëve dhe kërkimet mbi teknologjitë e përparuara bërthamore.

