Rritet në mbi 2.800 numri i të vdekurve nga Ebola në RD të Kongos

Rritet në mbi 2.800 numri i të vdekurve nga Ebola në RD të Kongos

Numri i viktimave nga epidemia aktuale e virusit Ebola, e cila filloi në Republikën Demokratike të Kongos në maj, ka shkuar mbi 2.800 të dielën, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga autoritetet shëndetësore të vendit, transmeton Anadolu.

MARKETING

Description of image

Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se numri i rasteve të konfirmuara ka arritur në 5.945 në gjashtë provinca.

Të paktën 1.327 persona janë shëruar, ndërsa 896 pacientë të konfirmuar ndodhen aktualisht në izolim ose po trajtohen në spital.

Ministria tha se epidemia ka prekur tashmë 60 zona shëndetësore në provincat Haut-Uele, Ituri, Kivu i Veriut, Kivu i Jugut, Bas-Uele dhe Tshopo që kur u shpall në mesin e muajit maj.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se lloji Bundibugyo i virusit Ebola në Kongo vazhdon të evoluojë me shpejtësi, me transmetim të vazhdueshëm.

Rritja e numrit të rasteve dhe përhapja më e gjerë gjeografike gjatë tre muajve të fundit përbëjnë një “rritje të konsiderueshme” të shkallës së epidemisa, tha OBSH-ja.

Javën e kaluar, qeveria nisi një fushatë vaksinimi kundër virusit Ebolës, duke synuar punonjësit shëndetësorë dhe ata në vijën e parë, ndërsa autoritetet po përpiqen të frenojnë përhapjen e tij.

Një nga mjekët e përfshirë në reagimin ndaj epidemisë, Richard Kitenge, tha se frenimi i virusit tani varet kryesisht nga përfshirja e komuniteteve.

“Nuk do të përdorim magji për ta mposhtur Ebolën. Kjo do të arrihet përmes mbështetjes dhe përfshirjes së komunitetit. Kur popullsia respekton masat parandaluese, bashkëpunon me ekipet dhe nuk i fsheh të sëmurët, kjo na mundëson të sigurojmë gjurmueshmërinë dhe të ndërhyjmë shpejt”, u tha ai gazetarëve në Ituri.

MARKETING