Myftiu Tërnava kërkon zbardhjen e së vërtetës për dokumentin “Top Secret”: Pretendimet ndaj BIK-ut duhet të verifikohen
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava tha se me shqetësim ka përcjellë zhvillimet e ditëve të fundit, në një kohë kur në hapësirën publike janë shfaqur pretendime dhe qëndrime që prekin jo vetëm Bashkësinë Islame të Kosovës.
Tërnava tha se publikimi i materialeve të paraqitura si pjesë e gjetjeve të Prokurorisë, përfshirë edhe materialet që lidhen me telefonin e të pandehurit Fatmir Sheholli dhe dokumentin e cilësuar në publik si “Top Secret”, ka krijuar një situatë që kërkon maturi, përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, zbardhjen e plotë të së vërtetës.
“Pikërisht për këtë arsye, u drejtohem qytetarëve, institucioneve kompetente, Prokurorisë Speciale dhe të gjitha organeve profesionale të Republikës së Kosovës me një kërkesë të qartë: çdo pretendim i paraqitur në publik duhet të verifikohet në mënyrë të plotë, profesionale dhe institucionale”.
“Nëse një dokument i tillë ekziston dhe nëse është autentik, duhet të bëhet e qartë kush e ka hartuar, nga cili burim ka ardhur, për çfarë qëllimi është përgatitur, në çfarë rrethanash është përdorur dhe çfarë vlere ka në aspektin faktik dhe provues”, thekson ai.
Sipas myftiut Tërnava, kjo është veçanërisht e rëndësishme për shkak të përmbajtjes së pretenduar të këtij dokumenti.
“Sipas asaj që është bërë publike, në të Bashkësia Islame e Kosovës paraqitet si një institucion gjoja nën ndikimin ose kontrollin e shërbimeve të sigurisë së shtetit serb, ndërsa xhamitë dhe medresetë paraqiten si të ndërtuara apo të financuara nga Serbia, me pretendimin se përmes Bashkësisë Islame të Kosovës synohej shndërrimi i Kosovës në ‘Kandahar’.
Këto janë pretendime jashtëzakonisht të rënda. Për këtë arsye, ato nuk mund të trajtohen as si të vërteta të mirëqena dhe as të mbeten vetëm në nivelin e interpretimeve apo deklarimeve publike. Ato duhet t’i nënshtrohen verifikimit të plotë institucional, mbi bazën e fakteve, dokumenteve dhe provave”, tha ai.
Sipas tij, Bashkësia Islame e Kosovës ka të drejtë dhe detyrë të kërkojë që emri, veprimtaria dhe kredibiliteti i saj të mos cenohen përmes pretendimeve të pa verifikuara.
“Po aq e rëndësishme është të sqarohet nëse dhe në çfarë mase ky dokument, apo materiale të tjera të ngjashme, janë përdorur gjatë viteve të fundit si bazë për akuza, fushata apo veprime kundër Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj, xhamive, medreseve, teologëve, imamëve dhe udhëheqësve të saj. Bashkësia Islame e Kosovës nuk kërkon përplasje me askënd dhe nuk dëshiron që kjo çështje të shndërrohet në një tjetër konflikt politik, fetar apo shoqëror. Ne kërkojmë që ajo të trajtohet përmes institucioneve të drejtësisë dhe procedurave të ligjshme”.
Sipas tij është e domosdoshme të zbardhet plotësisht autorësia dhe origjina e dokumentit, rrethanat dhe qëllimi i hartimit të tij, autenticiteti, mënyra e përdorimit dhe, mbi të gjitha, nëse dhe çfarë ndikimi ka pasur ai në zhvillimet shoqërore e institucionale në Kosovë.

