Zyrtari i lartë Iranian: SHBA-ja duhet të përmbushë kushtet e Iranit para rihapjes së Hormuzit
Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Mohsen Rezaei, ka deklaruar se SHBA-ja duhet të ndërmarrë hapa konkret për të përmbushur kushtet e Iranit përpara se Teherani të rihapë Ngushticën e Hormuzit, transmeton Anadolu.
“SHBA-ja fillimisht duhet të ndërmarrë masa konkrete drejt përmbushjes së kushteve të Iranit, pas së cilës Irani do të ndërmarrë hapa për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit”, tha Rezaei.
Sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Tasnim, deklaratat e tij erdhën gjatë një takimi në Teheran me kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.
Rezaei tha se Irani nuk i beson Washingtonit, duke e akuzuar atë se ka tradhtuar vazhdimisht diplomacinë dhe negociatat.
Ai paralajmëroi se nëse SHBA-ja ndërmerr ndonjë “veprim armiqësor” kundër Iranit, Teherani do t’u shkaktojë dëme interesave ushtarake dhe ekonomike amerikane “që do të shënohen në histori”.
Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit tha se në takim u diskutuan zhvillimet rajonale, pasojat e përshkallëzimit dhe përpjekjet rajonale dhe ndërkombëtare për uljen e tensioneve dhe forcimin e sigurisë dhe stabilitetit.
Sheikh Mohammed, tha ministria, theksoi rëndësinë e veprimit me “urtësi dhe përgjegjësi” në trajtimin e krizës aktuale për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.
Vizita e Sheikh Mohammedit në Teheran, i cili është gjithashtu ministër i Punëve të Jashtme i Katarit, vjen derisa Doha vazhdon përpjekjet për uljen e tensioneve mes Iranit dhe SHBA-së.
Vizita shënon udhëtimin e parë të kryediplomatit të Katarit në Iran që nga fillimi i konfliktit me sulmet amerikane dhe izraelite në fund të shkurtit.
SHBA-ja dhe Irani nënshkruan në qershor një memorandum mirëkuptimi pas ndërmjetësimit të Pakistanit dhe Katarit, por zbatimi i tij ka ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve mbi lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës para luftës kalonte rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë.

