Bordi i Paqes: Hamasi pranon të dorëzojë armët dhe të heq dorë nga qeverisja

Bordi i Paqes: Hamasi pranon të dorëzojë armët dhe të heq dorë nga qeverisja

Përfaqësuesi i lartë i Bordit të Paqes për Gazën, Nikolay Mladenov, ka deklaruar se Hamasi dhe fraksionet e tjera të armatosura në Gaza kanë rënë dakord, për herë të parë, të dorëzojnë armët dhe t’ia transferojnë të gjithë autoritetin civil dhe të sigurisë një administrate kalimtare të njohur nga OKB-ja, transmeton Anadolu.

MARKETING

Description of image

Sipas deklaratave të Bordit të Paqes të publikuara në rrjetin social amerikan X, Mladenov i bëri këto deklarata gjatë një informimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi zbatimin e planit të paqes për Gazën, të mbështetur nga SHBA-ja.

“Për herë të parë, Hamasi dhe fraksionet e armatosura në Gaza kanë rënë dakord të dorëzojnë armët dhe të transferojnë të gjithë autoritetin qeverisës, atë civil dhe të sigurisë, te një administratë kalimtare e njohur nga OKB-ja”, tha Mladenov.

Ai pretendoi se ky hap mund “të përmirësojë në mënyrë drastike dhe të qëndrueshme jetën e palestinezëve në Gaza dhe të ofrojë siguri afatgjatë për izraelitët”.

Bordi i Paqes në fund të korrikut prezantoi një udhërrëfyes prej 15 pikash, i cili kërkon çarmatimin e Hamasit dhe fraksioneve të tjera të armatosura, transferimin e administrimit të Gazës te një Komitet Kombëtar dhe tërheqjen graduale të Izraelit.

Në fillim të këtij muaji, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e refuzoi planin, duke thënë se Hamasi duhet të çarmatoset plotësisht përpara çdo tërheqjeje izraelite.

Hamasi reagoi duke bërë thirrje për presion ndërkombëtar ndaj Izraelit për zbatimin e udhërrëfyesit, duke theksuar se mbetet i përkushtuar ndaj mirëkuptimeve të arritura me ndërmjetësuesit dhe Bordin e Paqes.

– Largimi i të gjitha llojeve të armëve

Mladenov tha se udhërrëfyesi kërkon largimin e “çdo kategorie armësh në Gaza” dhe se “nuk ka zonë gri dhe asnjë kategori nuk lihet jashtë”.

Procesi përfshin armët e rënda dhe objektet për prodhimin e tyre, depot e armëve, tunelet, armët personale të zjarrit dhe armët që posedohen nga fraksionet e armatosura.

Sipas planit, Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG) do të bëhet organi i vetëm i autorizuar për të poseduar, ruajtur ose kontrolluar armët.

“Tërheqja pason çaktivizimin e verifikuar të armëve dhe zhvillohet në faza. Procesi është i renditur dhe reciprok. Çdo hap mbështetet në përfundimin me sukses të hapit të mëparshëm”, tha Mladenov, duke shtuar se “përparimi bazohet në përmbushjen e detyrimeve, jo në kalendar”.

Ai tha se zbatimi do të ndjekë parimin “mos i beso asgjëje dhe verifiko gjithçka”.

Mladenov identifikoi tre kushte për avancimin e procesit, respektivisht “Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit duhet të dislokohet, zotimet e Izraelit sipas Protokollit të Sharm el-Sheikhut duhet të zbatohen dhe Hamasi duhet t’u përmbahet angazhimeve të tij”.

Ai shtoi se “çdo përdorim i forcës që nuk i përgjigjet një kërcënimi të menjëhershëm i kushton këtij procesi diçka që është shumë e vështirë të rikthehet”.

“Në drejtimin e kundërt, çdo armë që vazhdon të mbahet, çdo tunel ku vazhdon puna dhe çdo autokolonë që vazhdon të pengohet e kthen procesin prapa”, tha Mladenov.

– Izraeli: Së pari çarmatimi

Ndërkohë, Netanyahu vazhdon të këmbëngulë se Hamasi duhet të çarmatoset plotësisht përpara çdo tërheqjeje izraelite nga Gaza apo fillimit të rindërtimit.

Më 17 gusht, Netanyahu diskutoi zbatimin e planit me Mladenovin dhe të dërguarin amerikan Jared Kushner, në një kohë kur vazhdojnë dallimet lidhur me renditjen e hapave.

Hamasi këmbëngul në një proces gradual dhe reciprok, ndërsa Izraeli kërkon që çarmatimi të kryhet i pari.

Qëndrimi i ashpër i Netanyahut vjen përpara zgjedhjeve izraelite të 27 tetorit dhe mes presionit në rritje nga partnerët e koalicionit të ekstremit të djathtë, të cilët kundërshtojnë lëshimet lidhur me Gazën.

Ministrat izraelitë të ekstremit të djathtë e sulmuan udhërrëfyesin pas publikimit të tij, përfshirë ministrin e Financave, Bezalel Smotrich, i cili kërkoi që Hamasi të çarmatoset plotësisht përpara çdo tërheqjeje izraelite.

Komentet e Mladenovit vijnë në një kohë kur sulmet e përditshme izraelite në Gaza vazhdojnë, duke vrarë palestinezë dhe duke shkatërruar shtëpi, si dhe tenda të personave të zhvendosur, pavarësisht armëpushimit që zyrtarisht hyri në fuqi tetorin e kaluar.

Të dielën, Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, kërcënuan se do të intensifikojnë sulmet dhe do të zhvendosin banorët nga pjesë të Gazës, pasi balonat e ngritura nga fëmijët palestinezë arritën në zonat izraelite pranë enklavës së përfshirë nga konflikti.

Hamasi akuzoi Izraelin se po e përdor incidentin si pretekst për përshkallëzim.

– Administrata kalimtare

Lidhur me qeverisjen, Mladenov tha se “kriza e Gazës nuk ka qenë kurrë vetëm një problem sigurie apo humanitar, ajo ka qenë gjithmonë një problem politik dhe qeverisës”.

Ai tha se Komiteti Kombëtar përbëhet nga “profesionistë të pavarur palestinezë. Qëllimi i tij është të qeverisë gjatë periudhës së tranzicionit dhe të rikthejë administrimin efektiv”.

Mladenov tha se suksesi i tranzicionit “në fund do të gjykohet jo nga strukturat që krijojmë, por nga fakti nëse palestinezët do të kenë më shumë siguri, shërbime më të besueshme dhe një përmirësim të matshëm të jetës së përditshme”.

NCAG-ja u krijua në janar nën drejtimin e zyrtarit të Autoritetit Palestinez, Ali Shaath, për të mbikëqyrur çështjet civile dhe të sigurisë gjatë periudhës së tranzicionit.

Në nëntor të vitit të kaluar, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 2803, duke mbështetur kornizën e përkrahur nga SHBA-ja për tranzicionin e Gazës, përfshirë një administratë teknokratike palestineze dhe një forcë të përkohshme ndërkombëtare të stabilizimit.

Që kur Izraeli nisi luftën e tij gjenocidale në Rripin e Gazës në tetor të vitit 2023, më shumë se 73.000 palestinezë janë vrarë dhe mbi 174.000 janë plagosur, sipas shifrave palestineze.

MARKETING