SHBA-ja heq Sirinë nga lista e shteteve sponsorizuese të terrorizmit
Departamenti amerikan i Shtetit e hoqi të hënën Sirinë nga lista e shteteve sponsorizuese të terrorizmit, duke përmbushur zotimin e presidentit Donald Trump për lehtësimin e sanksioneve ndaj qeverisë së periudhës pas Asadit, transmeton Anadolu.
Siria nuk u nënshtrohet më ndalesave sipas Rregulloreve të Sanksioneve ndaj Qeverive në Listën e Terrorizmit, sipas Zyrës së Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) të Departamentit të Thesarit.
Washingtoni hoqi gjithashtu përcaktimin e Frontit Al-Nusra, i njohur gjithashtu si Hay’at Tahrir al-Sham, si Organizatë Terroriste Globale e Përcaktuar Posaçërisht.
Zyra e Thesarit e hoqi gjithashtu Hay’at Tahrir al-Shamin nga lista e Shtetasve të Sanksionuar Posaçërisht dhe Personave të Bllokuar.
Si rrjedhojë, Licenca e Përgjithshme 25, e cila kishte autorizuar transaksione që përndryshe do të ishin të ndaluara për shkak të përfshirjes së grupit në qeveri, u shfuqizua pasi “nuk është më e nevojshme”, sipas zyrës.
Hay’at Tahrir al-Sham ishte një nga grupet e armatosura më të njohura që kundërshtuan forcat e Bashar Asadit gjatë luftës civile në Siri. Grupi drejtohej nga Ahmad al-Sharaa, i cili u bë president i Sirisë pas rrëzimit të Asadit.
Ndryshimi i politikës pasoi rënien e regjimit të Asadit në dhjetor 2024 dhe përpjekjet e mëvonshme të Sharaas për stabilizimin e vendit.

