Shqipëria konfirmon rastin e parë me virusin e Nilit Perëndimor për këtë vit

Shqipëria konfirmon rastin e parë me virusin e Nilit Perëndimor për këtë vit

Në Shqipëri është konfirmuar rasti i parë me infeksion nga virusi i Nilit Perëndimor (WNV) për vitin 2026, njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, transmeton Anadolu.

MARKETING

Description of image

Sipas ministrisë, rasti i parë i konfirmuar është evidentuar gjatë dhjetëditëshit të dytë të gushtit në qarkun e Korçës, në kuadër të monitorimit sistematik dhe intensiv të infeksionit nga virusi në vend.

“Që nga fillimi i muajit janar 2026, janë testuar 30 mostra të rasteve të dyshuara për infeksion nga WNV, të cilat kanë rezultuar negative. Rasti i evidentuar përbën rastin e parë të konfirmuar në Shqipëri për vitin 2026”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Ministria bëri të ditur se Instituti i Shëndetit Publik po vijon mbikëqyrjen epidemiologjike në njerëz, hetimin epidemiologjik dhe entomologjik të rastit të konfirmuar, si dhe monitorimin e situatës.

Sipas ministrisë, infeksioni nga virusi i Nilit Perëndimor është dokumentuar edhe më herët në Shqipëri.

Në vitin 2024 u raportuan 107 raste të konfirmuara dhe 50 raste të mundshme, ndërsa në vitin 2025 u raportuan dy raste të konfirmuara, tha ministria.

MARKETING