Ngërçi politik vazhdon, por sinjalet për marrëveshje LVV-LDK po shtohen

Ngërçi politik vazhdon, por sinjalet për marrëveshje LVV-LDK po shtohen

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka njoftuar se të hënën, nga ora 11:00, do të jetë në sallën e Kuvendit të Kosovës, në vazhdën e kërkesës për vazhdimin e seancës konstituive dhe konstituimin e Kuvendit.

MARKETING

Description of image

Ndërkohë, ngërçi politik vazhdon të mbajë pezull funksionimin e institucioneve të reja të Kosovës. Takimi i fundit mes LVV-së dhe LDK-së ka hapur mundësinë për një afrim politik, por deri tani nuk ka asgjë konkrete. Njohësit e politikës kërkojnë që partitë të vendosin interesin e qytetarëve mbi kalkulimet politike dhe të gjejnë sa më shpejt një zgjidhje për krijimin e institucioneve.

Takimi i fundit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas analistëve, dha sinjale për një mundësi afrimi, por ende nuk ka asgjë konkrete.

Palët po diskutojnë brenda strukturave të tyre, ndërsa pritet të takohen sërish për të biseduar rreth pozitës së presidentit.

Një marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së shihet si një nga opsionet për evitimin e zgjedhjeve, ndonëse kërkohet që i gjithë spektri politik të gjejë një zgjidhje për daljen nga ngërçi.

“Urojmë që marrëveshja mes subjekteve politike, LVV dhe LDK, të konkretizohet sa më parë dhe që t’i ofrojnë vendit një zgjidhje rreth çështjes së presidentit. Do të ishte afirmative që kësaj marrëveshjeje t’i bashkëngjiten edhe subjektet e tjera opozitare, në mënyrë që procesi dhe vetë institucioni i presidentit të kenë një mbështetje sa më të gjerë”, tha Ramadan Baraliu, njohës i politikës.

Njohësit e fushës thonë se subjektet politike duhet të kenë parasysh interesin e qytetarëve dhe të mundësojnë krijimin e institucioneve të reja sa më shpejt.

“Krizën aktuale politike rreth zgjedhjes së presidentit më shumë duhet ta shohim si një problem politik sesa në aspekte të tjera. Është me rëndësi që të gjitha strukturat politike në Kuvendin e Kosovës të ulen dhe të bëjnë konsensus, që vendit t’i ofrojnë një president sa më konsensual dhe në një afat sa më të shpejtë”, tha Baraliu.

“Në rast se nuk bëhet, pra në qoftë se nuk ka marrëveshje politike dhe partitë politike duan të shkojnë në zgjedhje, ne si shoqëri civile dhe si qytetarë do t’i shohim vetëm pasojat që do të vijnë si rezultat i mungesës së institucioneve në Republikën e Kosovës”, tha Naim Jakaj, hulumtues i lartë në IKD.

Partia Demokratike e Kosovës po insiston të qëndrojë në opozitë, ndërsa Aleanca, pa plotësimin e gjashtë kushteve të saj, refuzon të takohet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Në ditët në vijim është paralajmëruar një takim tjetër mes Kurtit dhe Abdixhikut, ku palët kanë paralajmëruar se do të bisedojnë për emra konkretë për pozitën e presidentit.

MARKETING