Kosovë, përmbyllet procesi i gërmimeve dhe zhvarrosjes në lokacionet e varreve masive në veri

Kosovë, përmbyllet procesi i gërmimeve dhe zhvarrosjes në lokacionet e varreve masive në veri

Kanë përfunduar gërmimet vlerësuese dhe procesi i zhvarrosjes së mbetjeve mortore në tre lokacionet e konfirmuara të varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut, transmeton Anadolu.

MARKETING

Description of image

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se me përfundimin e aktiviteteve të sotme, është përmbyllur puna 4-javore e ekipeve në terren, e cila ka përfshirë gërmimet vlerësuese, zhvarrosjen e mbetjeve mortore, dokumentimin mjekoligjor dhe vlerësimin e plotë të hapësirave me interes.

Sipas Komisionit, gjatë gjithë kësaj periudhe, në aktivitetet gërmuese dhe procesin e zhvarrosjes kanë qenë të angazhuara ekipet e Institutit për Mjekësi Ligjore, Sektorit të Policisë për Persona të Zhdukur (SPZH), në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës (DHKL), si dhe njësitë e tjera përkatëse të Policisë dhe sigurisë ndërsa aktivitetet janë zhvilluar me përkrahjen e Qeverisë së Kosovës.

Aktivitetet janë zhvilluar në zbatim të urdhrit të lëshuar nga gjykata kompetente, sipas kërkesës së prokurores së rastit në kuadër të Departamentit për Krime Lufte në kuadër të PSRK-së.

Ekipet mjekoligjore të EULEX-it në kuadër të IML-së po ashtu kanë përkrahur procesin e vlerësimit të lokacioneve dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore.

“Bazuar në gjetjet dhe dokumentimin mjekoligjor, në lokacionin e tretë të varrit masiv është konfirmuar prania e mbetjeve mortore të gjashtë individëve. Me këto gjetje, në tre lokacionet e konfirmuara të varreve masive në këtë zonë, është konfirmuar prania e mbetjeve mortore të gjithsej 23 personave, viktima të zhdukjes me forcë”, njoftoi komisioni.

Pas përfundimit të aktiviteteve në terren, procesi vazhdon me ekzaminimet mjekoligjore në IML dhe identifikimin përmes analizës së ADN-së, me qëllim të konfirmimit të identitetit të viktimave dhe për të pasuar me hapat e metejmë sipas procedurave përkatëse përfshirë informimin zyrtar të familjeve.

Komisioni ka shprehur mirënjohje për të gjitha institucionet dhe mbi të gjitha për familjet e personave të zhdukur dhe Shoqatën e Familjeve “Zëri i Prindërve”, për bashkëpunimin e tyre gjatë gjithë këtij procesi.

Në Kosovë, që nga lufta e fundit, ende nuk dihet fati i rreth 1.500 personave të zhdukur.

MARKETING