Deputetë të PDK-së dhe AAK-së bllokojnë hyrjen e Qeverisë së Kosovës për “shkelësit e kushtetutës”
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po vazhdon për të shtatën ditë radhazi aksionin e saj duke bllokuar hyrjen e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në shenjë proteste për mos-vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, raporton Anadolu.
Deputetëve të PDK-së të betuar në Legjislaturën e 11-të, ju bashkuan edhe deputetë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), si dhe asamblistë të PDK-së nga Komuna e Lipjanit.
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se dolën për t’iu bashkuar deputetëve të PDK-së, për të ngritur vetëdijen qytetare dhe politike për vendin.
Ai tha se një ndër shkeljet më të mëdha zinxhirore historike ka ndodhë në udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Historia do të tregojë se një kabinet qeveritar i përbërë prej 21 anëtarësh, e prej tyre 17 njerëz janë betuar si deputet dhe 17 njerëzve nuk u vjen turp të shkojnë nga Kuvendi i Kosovës në ministri, për të ushtruar funksione të dyfishta kundërligjshëm”, theksoi Tahiri.
Asamblistja e PDK-së në Lipjan, Yllëza Bedrolli, tha se erdhën në përkrahje të protestës ngase Kuvendi nuk duhet t’i mbyllë dyert.
“Sot ne e përkrahim këtë protestë, me faktin se nuk mund të lejojmë të bllokohen institucionet. Nuk mund të lejojmë të mbyllen dyert e një institucioni publik si Kuvendi. Andaj e ftoj deputetin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje që të vjen dhe t’i hapë dyert e Kuvendit dhe prej sot të fillojnë t’i formojnë institucionet”, theksoi ajo.
PDK-ja dhe AAK-ja po konsiderojnë se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë shkelje kushtetuese për faktin se deputetët e rinj të betuar të Legjislaturës së 11-të nuk mund të jenë më pjesë edhe e ekzekutivit.
Ata i kanë bërë thirrje kryesuesit të seancës, Avni Dehari, që të thërrasë seancë për konstituimin e plotë të Kuvendit çdo 48 orë deri në finalizim.

