Policia e Kosovës zbulon arsenal armësh në Zubin Potok
Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë realizuar një operacion në veri të vendit, i cili ka rezultuar me gjetjen dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme armatimi, municioni dhe pajisjesh ushtarake, raporton Anadolu.
Përmes një konference për media, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se ky arsenal armësh është gjetur rreth zonës së Kalludrës së Zubin Potokut, zonë e njohur tashmë si vend ku u zbuluan tre varreza masive në të cilët janë gjetur mbetje mortore të 23 personave që dyshohet se janë viktima të luftës.
“Sekuestrimi i këtij armatimi dhe zbulimi i tre varrezave masive ka ardhur si rezultat intensiv i institucioneve që u ka paraprirë shtrirja e sovranitetit edhe në veri, sundimi i ligjit dhe bashkëpunimi ndër-institucional dhe qytetar. Zbulimi i varrezave masive ka nxjerrë në pah edhe njëherë dimensionin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Veriu i vendit pos që ishte skenë e krimeve të rënda ndaj civilëve shqiptarë, malltretimeve dhe dëbimeve, është shfrytëzuar edhe për fshehjen e trupave të viktimave pas vrasjeve makabre të kryera nga forcat serbe”, tha Sveçla.
Sipas ministrit Sveçla, Serbia ka investuar vazhdimisht që “veriu i Kosovës të mos stabilizohet dhe të mbetet zonë krimi dhe rezistuese” ndaj institucioneve të Kosovës.
Ai po ashtu tha se heshtja e Serbisë dhe e Listës Serbe për zhvillimet e fundit në veri tregon mbështetje për planifikuesit, organizatorët dhe realizuesit e akteve të rënda.
Sveçla ka bërë të ditur po ashtu se për armatimin e kapur do të kryhen hetime dhe ekzaminime për të përcaktuar origjinën dhe mundësinë e lidhjes së tyre me çështjen e të zhdukurve, mbetjet mortore të të cilëve janë gjetur së fundmi.
“Armatimi që shihni sot para jush është gjetur në 12 lokacione të ndryshme. Nga sot ai do t’i nënshtrohet ekzaminimit dhe analizave të detajuara me qëllim të përcaktimit të origjinës, përdorimit dhe lidhjeve me rastet e hetuara përfshirë edhe ekzaminimin e së paku 23 personave por edhe rasteve të tjera kriminale”, shtoi ai.
Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, nga ana e tij, tha se gjatë operacioneve dhe kontrolleve në 48 lokacione janë gjetur dhe konfiskuar sasi e konsiderueshme e armëve. Ai tha se dyshohet se këto armë mund të jenë përdorur për të vrarë personat e “grupit të intelektualëve të Mitrovicës”.
Siç njoftohet, policia ndër tjerash ka gjetur dy mitralozë, 11 armë të gjata AK-47, 22 armë të gjata të llojeve të ndryshme, 27 pushkë të gjuetisë, 90 armë të shkurtra pistoleta të ndryshme, shtatë mjete shpërthyese, shtatë granata dore, 4.831 municione të kalibrave të ndryshme, dy detonatorë, pjesë armësh, pajisje të tjera ushtarake, këmisha të policisë dhe ushtrisë, leje të armëve të shkurtra të skaduara, 96.100 euro dhe 5.000 franga zvicerane, si dhe gjë sende të tjera.
Gjatë javëve të fundit, autoritetet kosovare në tre lokacione të ndryshme gjetën varreza masive me mbetje kockore të cilat Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore, ka bërë të ditur se është konfirmuar gjetja e së paku 23 individëve, që dyshohen të jenë viktima të luftës së fundit në Kosovë.
Autoritetet kosovare kanë njoftuar se identifikimi i plotë do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse.

