Grupi jemenas Huthi thotë se ka sulmuar anije saudite dhe depo armësh
Grupi Ansar Allah i Jemenit, i njohur gjithashtu si Huthi, pretendoi të hënën se forcat e tij kanë shënjestruar disa anije luftarake saudite, si dhe një depo armësh, në një sulm të gjerë me raketa dhe dronë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të publikuar në Telegram, zëdhënësi i Huthive, Yahya Saree, tha se një anije saudite për transport amfib dhe disa anije luftarake që e shoqëronin janë goditur me sukses në një sulm ajror ku u përdorën “një numër” raketash balistike.
Duke e cilësuar sulmin me raketa si “të saktë”, Saree tha se disa nga anijet e shënjestruara janë fundosur, ndërsa të tjerat kanë marrë flakë si pasojë e sulmit.
Forcat Huthi po ashtu kanë shënjestruar një depo saudite armësh në kampin Sahn al-Jin, në provincën Marib të Jemenit qendror-lindor, me disa dronë, shtoi zëdhënësi.
Deri në publikimin e lajmit, pretendimet nuk janë konfirmuar nga autoritetet saudite.
Në vitin 2014, Huthit, të mbështetur nga Irani, morën nën kontroll pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.
Kjo u pasua nga disa vite luftë midis Huthive dhe forcave të qeverisë së Jemenit, të mbështetura nga një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite.
Që nga shpërthimi i konfliktit Izrael-Gaza në vitin 2023, Huthit janë përfshirë gjithnjë e më shumë në armiqësi rajonale, duke kryer sulme me raketa ndaj Izraelit dhe anijeve tregtare të lidhura me Izraelin në Detin e Kuq.
Rritja e fundit e luftimeve, e shoqëruar me konfliktin midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, ka ringjallur frikën për rikthimin e një konflikti në shkallë të gjerë në Jemenin e varfëruar.

