Zjarr i madh në Kroaci, 36 të lënduar – shtatë në gjendje kritike
Të paktën 36 persona kanë mbetur të lënduar nga një zjarr i madh që përfshiu qytetin e Omišit në Kroaci, gjatë mbrëmjes së së enjtes.
Sipas mediave kroate, 14 prej të lënduarve janë shtruar në spital, ndërsa pjesa tjetër është liruar pas marrjes së trajtimit mjekësor.
Shtatë pacientë ndodhen në kujdes intensiv dhe, sipas raportimeve, janë në gjendje kritike për shkak të djegieve të rënda. Shumica e të lënduarve kanë pësuar djegie, ndërsa disa të tjerë kanë shfaqur vështirësi në frymëmarrje si pasojë e tymit të dendur.
Zjarri është përhapur gjatë natës në disa zona të qytetit, i favorizuar edhe nga erërat e forta. Situata ka detyruar autoritetet të evakuojnë qindra banorë dhe persona të tjerë nga zonat e rrezikuara.
Ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit kanë vijuar përpjekjet për të vënë nën kontroll flakët dhe për të garantuar sigurinë e banorëve.

