Bastiset shtëpia e të arrestuarit për spiunazh: Policia i gjen mbi 39 mijë euro, katër telefona e dokumente
Personi i arrestuar sot në pikën kufitare në Merdare, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”, është ndaluar për 48 orë me aktvendim të Prokurorisë Speciale.
Pas arrestimit, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë zbatuar urdhërkontrollin në vendbanimin e tij në Dragash.
Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar 39 mijë e 500 euro para të gatshme, 500 dinarë, katër telefona celularë dhe dokumente të ndryshme relevante për rastin.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se, brenda afatit të përcaktuar ligjor, do të parashtrojë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Prokuroria Speciale, Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë kanë deklaruar se mbeten të angazhuara për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme ligjore lidhur me rastin.

